Gjatë një operacioni të koduar “Porosia” u sekuestrua një sasi e konsiderueshme e eksplozivit C4, më e madhja e kapur ndonjëherë nga policia shqiptare.
Katër persona, dy nga Kruja dhe dy nga Tirana u ndaluan nga Policia e Tiranës gjatë një aksioni në rrugën “Sadik Petrela”, në kryeqytet në momentin e shitjes së këtij eksplozivi.
Ilir Dhimo, 36 vjeç dhe Pëllumb Daci 46 vjeç, të dy nga Kruja dhe Emild Taku, 27 vjeç e Artur Cello 40 vjeç nga Tirana, gjatë shitjes së eksplozivit janë përpjekur t’i largohen policisë për t’u shmangur arrestimit, por nuk ja kanë arritur qëllimit.
“Kemi bërë të mundur sekuestrimin e sasisë më të madhe të eksplozivit. Është goditur një grup kriminal i specializuar në tregtimin e lëndëve plasëse. U kapën 4 persona dhe u sekuestrua mbi 100 kilogram eksploziv i llojit C4. Të dyshuarit janë kapur në kushtet e flagrancës dhe gjatë ndërhyrjes kanë tentuar të largohen. Policia ka kontrolluar edhe banesat e tyre, ku janë gjetur 98 kilogram eksploziv, detonatorë, ndezëse minash, etj. Grupi hetimor vazhdon hetimet për këtë grup kriminal, në bashkëpunim me prokurorinë”, deklaroi Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Cipa.
Më pas është proceduar me kontrollin e banesave të tyre, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
• Eksploziv plastik C4 96 kg
• Fitil detonator 37 kg
• Ndezësa të minave 3744 copë
• Kapsolla detonatore 2927 copë
• Kapsolla detonatore elektronike 387 copë
• Kapsolla elektronike detonatore me trup bakri 101 copë
• Kuti plastike 521 copë
• Një sasi e konsiderueshme kapsolla detonatore të ndryshme
• 200 metër linear fitil zjarr përcjellës
Policia tha se i kishte vënë në përgjim prej kohësh shitësit e eksplozivit dhe se në rrjetin e tyre ka të tjerë të implikuar të cilët priten t’u dokumentohet pjesëmarrja në aktivitetin kriminal.
Top Channel