Prokuroria apelon vendimin për Gjonin

20/05/2014 00:00

Prokuroria ka apeluar vendimin e Gjykatës së Elbasanit e cila rrëzoi kërkesën për pezullimin nga detyra të gjyqtarit Gjin Gjoni me të njëjtin argument që përdori edhe në kërkesë së personi nën hetim, Gjin Gjoni, për shkak të detyrës që kryen mund të verë në rrezik marrjen dhe vërtetësinë e provave.

Në këtë kërkesë prokurorët këmbëngulin në pezullimin e gjyqtarit Gjin Gjoni, pasi në vendimin e saj Gjykata e Elbasanit nuk përmend të gjitha rrethanat e faktit dhe nuk i analizon ato në mënyrë të drejtë, para se të caktonte masën e sigurimit të kërkuar.

Gjykata, thonë prokurorët duke iu referuar një pjese të kallëzimit të ILDKPI, thotë se për disa nga episodet ka përsëritje të përmendjes, se është konsumuar vepra e fshehjes së pasurisë, çka do të thotë se në këtë mënyrë vetë gjykata e pranon se nga hetimi i deritanishëm ka dyshim se personi nën hetim e ka konsumuar këtë vepër penale.

Më tej në apelim thuhet se gjykata gabon rëndë kur shprehet se Prokuroria përveç kallëzimit të ILDKPI-së nuk ka kryer asnjë veprim tjetër hetimor, pasi vetë kallëzimi përmban një sërë aktesh të marra nga ILDKPI, ndërkohë që prokurorët i kanë vënë gjykatës në dispozicion edhe aktet e sekuestruara pranë noterëve nën hetim në këtë dosje.

Është i panevojshëm arsyetimi i gjykatës kur thotë se personi nën hetim është anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe për këtë ai nuk mundet të pezullohet nga detyra si gjyqtar, pasi prokuroria kërkon pezullimin e tij si gjyqtar dhe jo si anëtar i KLD-së.

Gjithashtu kundërshtohet edhe argumenti i gjykatës se veprat për të cilat hetohet gjyqtari Gjin Gjoni janë parashkruar, sepse sipas prokurorisë  veprat penale janë kryer në bashkëpunim e për këtë, kjo vepër nuk është parashkruar.

Top Channel