Pritshmëritë për statusin

20/05/2014 00:00

Jemi më afër se kurrë marrjes së statusit kandidat, por cila do të jetë axhenda e krerëve më të lartë të qeverisë, por edhe të shtetit deri në muajin qershor kur do të jepet vendimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian.

E ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” ministria e Integrimit, Klajda Gjosha është shprehur se procesi i integrimit deri në anëtarësimin në BE është një çështje që i përket të gjithë Shqiptarëve dhe duhet të qëndrojë prioritet mbi gjithçka tjetër.

Pandi Gjata: Referuar deklaratës së zotit Rama, por edhe axhendës që ju patët javën e shkuar në Bruksel, sa afër statusit jemi?

Klajda Gjosha:
Ne jemi shumë afër datës ku do të diskutohet për statusin kandidat të Shqipërisë, pasi Këshilli do të mblidhet në qershor. Për ne kjo kohë ka qenë tepër intensive, e mbushur me shumë takime. Takimi i Këshillit të Stabilizim-Asocimit ishte vetëm njëri prej tyre, ku pjesëmarrje kryesore ishte e imja, Ministri i Jashtëm dhe kryetarja e Komisionit të Integrimit, nga pala shqiptare ishte një mesazh tepër pozitiv i dhënë, pasi mazhoranca dhe opozita u përfaqësuan së bashku, kjo ishte kryesore. Është tepër e rëndësishme që mazhoranca dhe opozita të jenë pro marrjes së statusit, pavarësisht atyre problemeve të vogla që gjithmonë ekzistojnë mes dy palëve.

Pandi Gjata: Ju flisni për një zë të përbashkët mazhorancë-opozitë, por tensionet në javët e fundit në Shqipëri janë shtuar. A mund të ndikojë kjo klimë në çështjen e statusit? 
 

Klajda Gjosha: Është e vërtet që klima ka qenë pak e rënduar. Mos harrojmë që sa herë Shqipëria pret të marr vendime shumë të rëndësishme, kultura shqiptare nuk po bënë hapin përpara për të ndihmuar një vendimarrje për vendin. Klima e momentin nuk është shumë pozitive, por akuzat e ardhura nga opozita nuk janë të një niveli parësor sepse të gjitha akuzat i përkasin më pas drejtësisë për të vendosur nëse ato janë të vërteta apo jo. Çështja e ditëve të fundit e heq vëmendjen nga ato që janë thelbësore në vend.

Pandi Gjata: Pra, a mund të ndikojë kjo klimë?

Klajda Gjosha:
Gjithçka mund të ndikojë. Shpesh herë i kam bërë thirrje opozitës se procesi i integrimit deri në anëtarësimin në BE është një çështje që i përket të gjithë Shqiptarëve dhe duhet të qëndrojë prioritet mbi gjithçka tjetër.

Pandi Gjata: Ku do të fokusohet axhenta, e juaja, por edhe e qeverisë në këto javë të mbetura?

Klajda Gjosha: Marrëdhëniet bilaterale gjithmonë kanë qenë kryesore, sa më të mira të jenë marrëdhëniet mes vendeve patjetër që janë pjesë e një vendimi pozitiv. Ne kemi pasur një vizitë shumë të rëndësishme në Gjermani, bashkë me Kryeministrin Rama. Unë kam qenë gjatë gjithë kohës në lëvizje, duke qenë në Bruksel disa herë dhe në vende të tjera anëtare. Do të kemi një vizitë zyrtare të Kryeministrit në Holandë, po planifikohet Franca, ndërkohë që Danimarka është mbuluar mjaft mirë nga kryetari i Parlamentit me një grup anëtarësh të tij, ku është diskutuar edhe për çështjen e statusit. Të gjitha këto vende që kanë qenë skeptike gjatë dhjetorit do të mbulohen me një axhentë tepër të zgjeruar nga e gjithë qeveria, por edhe nga Parlamenti.    

Pandi Gjata: Duke përjashtuar Gjermaninë, nisur edhe nga deklaratat e Merkel, qëndrimi i Danimarkës, Francës, Holandës, por edhe Britanisë si është perceptimi krahasuar me muajin dhjetor?

Klajda Gjosha: Unë nuk do të shprehesha asnjëherë për qëndrimin e tyre edhe për vet faktin se nuk e di personalisht dhe askush nuk mund ta di në këto momente, të gjitha vendet anëtare e ruajnë votën e tyre dhe do të na duhet të presim ditën finale për të kuptuar nëse ato do të kenë një qëndrim pozitiv ndaj Shqipërisë.

Pandi Gjata: A do të jetë Gjermania ‘lokomotiva’ e këtyre vendeve nga ato që janë thënë deri tani?


Klajda Gjosha:
Unë them që të gjitha këto vende kanë identitetin e tyre dhe gjithsecili nga vendet dëshiron të luaj kartën e tij. Unë shpresoj shumë që këtë radhë Shqipëria të vlerësohet në bazë të teknikaliteteve dhe arritjeve që ka pasur muajt e fundit dhe jo në anë politike.

Pandi Gjata: Jeni njohur me rekomandimin e të Komisionerit për Zgjerimin Shtefan Fyle në konfidencat apo në bisedën që keni pasur, ka folur për një rekomandim më të fort se në muajin dhjetor? Çfarë do të ketë më të fortë se në dhjetor, pas pak javësh?


Klajda Gjosha:
Nuk kemi më një qeveri të re, siç u shprehën edhe vendet anëtare, të cilat kërkuan edhe më shumë kohë për të parë që qeveria është e vendosur për të vazhduar me masat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po bëhet fjalë për një qeveri të konsoliduar, ku tashmë të gjitha planet e punës janë vënë në zbatim, të gjitha afatet dhe limitet kohore janë zbatuar, të gjitha këto të paraqitura edhe pranë Komisionit Europian sepse një pjesë e progres-raportit përgatitet nga vet institucionet shqiptare. Ky proces është shumë i gjatë, me një plan pune të detajuar, këtë radhë jo si në dhjetor vetëm për krimin e organizuar dhe korrupsionin, por i fokusuar mbi 5 prioritetet kryesore, siç është edhe reforma në drejtësi, të drejtat e njeriut dhe reforma në administratën publike. Këtë herë Komisioni nuk do të bazohet vetëm në statusin kandidat, por shkon deri në hapjen e negociatave, ky është një proces shumë kompleks. Të gjitha arritjet e këtij plani do të diskutohen edhe në dialogun e nivelit të lartë, ku tashmë janë bërë 2 takime.

Pandi Gjata: Një pyetje që e dëshiroja me po ose jo, do ta marrim statusin në qershor apo jo?

Klajda Gjosha:
Këtë nuk mund ta them unë, vota është e vendeve anëtare.

Top Channel