Argjentinë, kapet kokainë në gjendje të lëngët

17/05/2014 00:00

Autoritetet policore në Argjentinë deklarojnë se kanë shmangur një plan kriminal, për të prodhuar dhe dërguar në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë kokainë në gjendje të lëngët.

Të paktën tetë persona dyshohen se janë përpjekur të dërgojnë dy tonelata drogë, të përzjerë me vaj dhe të fshehur në transformatorë për energjinë elektrike në Meksikë.

Personat në fjalë janë arrestuar dhe mes tyre janë një kimist meksikan dhe disa agjentë të policisë argjentinase, deklaroi ministri i Sigurisë, Sergio Berni në një konferencë shtypi.

Sipas ministrit, fillimisht lënda narkotike arriti të kalonte doganat në Argjentinë dhe Meksikë, por pas një hetimi të detajuar të agjentëve të anti-drogës, që i ishin vënë pas organizatës kriminale, u zbulua kokaina.

Ngarkesa u bllokua në gadishullin e Jukatanit dy javë më vonë dhe në treg do të kishte pasur një vlerë prej 40 milionë dollarësh.

Nga Meksika, droga do të trafikohej në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë. Autoritetet njoftuan gjithashtu se gjatë operacionit u sekuestruan kompjutera, armë dhe para të thata.

“Gjëja e rëndësishme në të tilla raste është të hetojmë, të mos kemi frikë të tregojmë kurajon tonë, sikurse bëri gjyqtari i çështjes”, deklaroi ministri Berni, duke iu referuar gjyqtares Sandra Arroyo Salgado, që hetoi rastin.

Ky është rasti i dytë i konfiskimit të kokainës në gjendje të lëngshme brenda vitit. Sipas mediave lokale, policia dyshon se ky lloj trafiku është në rritje.

FOTO GALERI
2/2

Top Channel