Pesë variantet e ndarjes së re

16/05/2014 00:00

Ministri i Çështjeve Vendore, Bledi Çuçi ka prezantuar përpara ambasadorëve variantet e ndarjes së re administrative. Zoti Çuci vuri në pah kriteret mbi të cilat do të kryhet kjo reformë, duke theksuar se objektiv është krijimi i njësive funksionale që të kenë në të njëjtën kohë edhe lidhje sociale, ekonomike, historike e kulturore me njëra-tjetrën.

Ofrimi i shërbimeve të plota dhe funksionale publike, si dhe distanca mes territorit ishin kritere të tjera të vëna në pah nga ministri, ndërkohë që nga kriteret e përgjithshme do të bëjnë përjashtim, siç tha ai, vetëm ato komuna me karakter etnik.

Më pas ai prezantoi edhe 5 variantet e propozuara. I pari me 30 njësi vendore, i dyti me 39 njësi, i treti me 47, i katërti me 57 njësi dhe i pesti me 63 njësi.

“Këto janë pesë variantet që ne propozojmë, sigurisht që jemi të hapur të diskutojmë me komisionin të gjitha variantet, në mënyrë që ai të ketë hapësirën e duhur për të marrë parasysh më të mirin”, deklaroi Çuçi.

Ndërkohë, deputeti i Partisë Socialiste dhe kryetari i komisionit për reformën territoriale, Bashkim Fino ka ftuar edhe njëherë opozitën të bëhet pjesë e këtij procesi të rëndësishëm.

“Ne kemi qenë shumë transparent, në çdo moment të procesit dhe fakti që sot u paraqitën 5 variante tregon se asgjë nuk ka qenë e paracaktuar e me vijë politike. Por sërish ne po u japim një mundësi të gjithëve, përfshirë opozitën, që të bëhen pjesë e procesit për të zgjedhur variantin. Madje, unë shkoj edhe më tej. Nëse opozita ka mendime të tjera është e mirëpritur të na i paraqesë”, deklaroi Fino.

Ndërkohë, në një mesazh në rrjetin social Twitter, kryeministri Rama, i pranishëm në këtë prezantim, ka theksuar se ky është një hap drejt reformimit radikal të vendit.

Top Channel