Pesë kompani prestigjoze ndërkombëtare nga Anglia, Amerika, Franca dhe Greqia mes tyre edhe CNN, u vunë në garë për fituar konkursin e shpallur nga qeveria shqiptare,  ku aplikuan 110 kompani të huaja dhe vendase, për logon dhe sloganin promovues të Shqipërisë në botë.

Juria ndërkombëtare e drejtuar nga gazetari italian Bruno Vespa për më shumë se 4 orë ndoqi prezantimet e 5 kompanive që mbërritën në finale. Ministria e Turizmin Eglantina Gjermeni u shpreh se përmes Branding  Albania synojmë të ndryshojmë imazhin e trazuar të Shqipërisë. Ndërsa kryeministri Rama tha se ky është një proces tejet i rëndësishëm.

“Është një ditë e bukur për ne dhe jam i sigurtë që është një ditë e shënuar në projektimin e imazhit tonë jashtë nesh. Në fund të fundit, imazhi përfundon me logon, por fillon dhe ndërtohet me punët që duhet bërë realisht. Vuajmë prej vitesh një imazh negativ, nuk diskutohet që ne shqiptarët kemi dhënë një kontribut të posacëm për ta ndërtuar këtë imazh negativ, por nuk diskutohet po ashtu që në këtë imazh negativ një pjesë të madhe e ka perceptimi i krijuar mbi gjykime të vjetra, apo paragjykime që nuk kemi mundur t’i zbrapsim asnjëherë. Jam i bindur që me studion fituese do të kemi një aleat dhe një instrument më shumë për të luftuar këtë imazh negativ dhe për të cliruar më shumë energji pozitive rreth Shqipërisë dhe shqiptarëve”, deklaroi Rama duke falenderuar pjesëmarrësit në konkurs dhe anëtarët e jurisë. 

Juria  shpalli  fitues kompaninë amerikane “StrawberryFrog” e cila kishte përzgjedhur si slogan “Go your own way”  në shqip “Ndiq rrugën Tënde”.

“Besoj se ne fituam pasi shprehëm pasion të fortë për Shqipërinë.Ne paraqitëm një ide e cila pas saj  do të ketë mbështetjen e të gjithë shqiptarëve. Pra nuk sollëm thjesht një ide për të reklamuar. Përmes propozimit tonë, ne duam të paraqesim një Shqipëri shumë të vecantë dhe jo thjesht  një shtet si të gjitha vëndet e tjera europiane. Një vend të vecantë që quhet Shqipëri”, deklaroi Kevin McKeon, përfaqësues i “StrawberryFrog”.

Kryetarja e Bashkisë së Gjakovës Mimoza Kusari Lila anëtare e jurisë thotë se ky konkurs ishte rruga e duhur për një promovim dinjitoz të Shqipërisë.

“StrawberryFrog” është një kompani me përvojë në fushën e marketingut dhe promovimit. E themeluar në vitin 1999 në Amsterdam nga Scot Goodson, shpejt u zgjerua dhe aktualisht vepron në tre kontinente, Europë me anë të qendrës së saj në Amsterdam, Amerikën e Veriut me filialin në Nju Jork dhe në Amerikën e Jugut dhe Qendrore me anë të filialit të saj në Sao Paolo.

“Besoj që forma më e mirë e promovimit të Shqipërisë ishte konkursi dhe konkursi i shërben qëllimit. Besoj që kemi bërë një punë të mirë si juri dhe besoj që pas një viti të shihet puna reale”, tha zonja Kusari.

Top Channel