Gjykata e Elbasanit ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë për pezullimin nga detyra të gjyqtarit të Apelit Gjin Gjoni deri sa prokuroria të përfundonte hetimin.

Vendimi është publikuar i shkurtuar dhe pas asnjë argument, ndërkohë që pritet që gjatë javës që vjen gjykata të zbardhë verdiktin se mbi çfarë argumentash është bazuar ajo për rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë që e ka anëtarin e KLD-së e po ashtu gjyqtarin Gjoni nën hetim për deklarim të rremë pasurie dhe falsifikim dokumentash.

Një ditë më parë ILDKP nisi hetimin administrativ për rikonfirmimin e disa të dhënave të paraqitura nga Gjoni në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Edhe ky institucion të mërkurën ka dorëzuar në prokurori një kallëzim penal për gjyqtarin për falsifikim dokumentash.

Ndërkohë edhe Gjykata e Durrësit ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë për pezullimin e gjyqtares Klorinda Çela e cila është nën hetim po për fshehje të pasurisë, ndërsa bashkëshorti i saj Ken Dhima, që aktualisht është gjyqtar në Gjykatën Administrative në Vlorë është pezulluar nga e njëjta gjykatë me afatin e tre muajve.

Për çiftin e bashkëshortëve edhe Ministria e Drejtësisë kërkon nga ana e saj në Këshillin e Lartë të Drejtësisë marrjen e masës disiplinore të shkarkimit në bazë të një raporti të Inspektoriatit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive që ka gjetur episodet e deklarimit të rreme të pasurisë.

Top Channel