Miratohet ligji i ri për legalizimet

15/05/2014 00:00

Me karriket bosh të opozitës, mazhoranca diskutoi ligjin e cilësuar prej saj të një rëndësie të madhe për t’i dhënë fund një problemi të mprehtë shumëvjeçar, atij të legalizimeve.

“Ne do t’i bëjmë legalizimet falas dhe këtë fatmirësisht e kuptojnë të gjithë ata që nuk i bien nga ezofagu i Saliut për të marrë vesh se si qëndron e vërteta, por shikojnë faktet”, deklaroi kryeministri Rama.

Në një fjalim të gjatë për këtë çështje, kreu i qeverisë tha se parardhësit në pushtet, që për vite me radhë morën votat e zonave informale, i shndërruan dyert e Agjencisë së Legalizimeve si radhët e dikurshme të ambasadave, duke lënë pas një institucion kaotik.

“Dy javët e para të punës Artan Lame i ka kaluar në dysheme, poshtë dollapeve e tavolinave për të mbledhur letrat e për të lidhur fijet. Kjo nuk është metaforë, ky është fakt”, theksoi Rama.

Por më shumë sesa kaosi i dosjeve të legalizimeve, Edi Rama u ndal më gjatë në denoncimin e legalizimeve korruptive dhe klienteliste. Duke sjellë shembuj nga legalizimet e ditëve të fundit të pushtetit të demokratëve, Rama iu drejtua nga foltorja e Parlamentit prokurorisë edhe për këtë çështje.

“Në bazë të këtyre verifikimeve, të gjithë personat e përzjerë, nga koka deri tek dera në sistemin e ALUIZNI-t duhet të shkojnë në burg. Në burg”, shtoi Rama.

Top Channel