“Ja si do të protestojmë sot”

15/05/2014 00:00

Që prej pasdites të së shtunës trafiku i drogës është kryefjala në politikën shqiptare. Gjatë këtyre ditëve ka pasur akuza dhe kundërakuza të ashpra nga të dyja palët, por gjatë së enjtes opozita ka vendosur të dalë në protesta.

Grida Duma, koordinatore e marrëdhënieve me publikun në PD ishte e ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” për të folur për zhvillimin e kësaj proteste.

Duma ka thënë se protesta nuk do të përfundojë me mbylljen e seancës parlamentare, por në momentin kur do të ketë një reagim nga mazhoranca.  

Pandi Gjata: Si është e organizuar protesta, cili do të jetë itinerari deri në momentin kur protestuesit do të mbërrijnë para Parlamentit?

Grida Duma: Një pjesë e madhe do të vijnë nga selia e PD, por do të ketë disa kahe nga ata do të vijnë. Ne shpresojmë që kjo protestë të kuptohet si thellësisht qytetare sepse nuk ka të bëjë me pushtetin e PD apo opozitës, por ka të bëjë me situatën shumë të rëndë të krijuar në vend. Gjendja e qeverisjes është në një situatë të rrezikshme për qytetarin shqiptar.

Pandi Gjata: Si do të jetë e alternuar protesta jashtë Parlamentit me prezencën e deputetëve të PD brenda sallës? Pasi ju keni bërë një kërkesë për një seancë të jashtëzakonshme, ndërkohë nesër është një seancë me rendin e ditës. A do të lejohet të zhvillohet kjo seancë e kërkuar nga ju?  

Grida Duma: Mendoj që nuk do të merret parasysh kërkesa e opozitës për të pasur një seancë të jashtëzakonshme. Raste të tilla kanë ndodhur plotë kur opozita ka kërkuar të adresohen probleme reale dhe kuvendi ka vijuar me rendin e ditës. Sot nuk mund të imagjinohej të shikohej Kryeministri në sallën e Akademisë së Arteve, duke thirrur aty Policinë e Shtetit. Keni parë shpesh që deputetët kanë dalë nga salla e Parlamentit dhe i janë bashkëngjitur protestuesve. Sigurisht edhe këtë herë do të ketë alternim të deputetëve. Do të fillojë me aksionin e tyre në Parlament, i cili do të mbështetet nga prezenca e protestuesve jashtë tij. Ne do të jemi aty, duke ushtruar presion kësaj qeverisje. Sot na mundëson teknologjia që të shohim se ç’po ndodh brenda në sallën e Parlamentit. Opozita do të jetë dinamike dhe shumë aktive brenda sallës së Parlamentit dhe shumë qytetare jashtë tij.  

Pandi Gjata: Sa është parashikuar të qëndrojnë protestuesit jashtë Parlamentit?

Grida Duma: Do të qëndrojmë më shumë se përfundimi i seancës, deri sa të shohim një reagim real të mazhorancës. Shpresoj të ketë një reagim, në rast të kundërt do të jetë një situatë në dëmin e tyre.

Pandi Gjata: Në çfarë kuptimi në dëmin e tyre?

Grida Duma: Ju e keni parë rastin me armët kimike, e patë se në çfarë presioni u vendos kjo mazhorancë. Flasim për një marrje përgjegjësie të qeverisë. Është vërtetuar diçka që quhej përrallë e opozitës dhe ai avioni qëndron atje dhe përdoret për turizëm. Nga njëra anë digjen dokumentet në Rinas, nga ana tjetër na thuhet se nuk kemi asnjë dijeni për këtë çështje. Kryeministri del dhe nuk flet për çështjen, por për opozitën. Jemi sërish me një pa përgjegjshmëri totale për të administruar këtë vend.

Pandi Gjata: Basha tha se nuk duam zgjedhje të reja, por që kjo qeveri të iki. Si mund ta kuptojmë këtë?

Grida Duma: Kjo tregon qëndrimin tonë qytetarë. Kjo opozitë duhet të çohet dhe të jetë përkrah qytetarit, kur atij po i humbin të gjithë mundësitë për të pasur të drejta në këtë vend. Si është e mundur që kjo qeverisje nuk arrijnë t’i bëjë një shfryrje të vogël kësaj situate, të heq një ministër.   

Pandi Gjata: Edhe PD-ja nuk është se ka hequr ndonjë ministër gjatë 8 viteve të shkuara, pavarësisht ngjarjeve të rënda që kanë ndodhur.

Grida Duma: Pas një denoncimi të një rastin në “Fiks Fare” zoti Pango është shkarkuar menjëherë. Nuk jam këtu për të thënë të amnistojmë ato që kanë ndodhur më përpara. Me alibinë që ka ndodhur dhe më keq më përpara dhe të ndodh shumë më keq tani kjo është një gjë që nuk i takon më popullit shqiptar.

Pandi Gjata: Kryeministri tha se me këtë protestë të opozitës dëmtohet imazhi i Shqipërisë, kur jemi pak javë para se do të diskutohet sërish çështja e statusit. Pse duhet kjo protestë?

Grida Duma: Kjo është një shashkë që zoti Rama e hedh për publikun, por nuk mund t’ia hedh njerëzve, të cilët kuptojnë diçka nga politika. Një nga gazetat e mëdha gjermane ka publikuar që ka 2 raporte të ndryshme për Shqipërinë. Raporti i Ministrisë së Brendshme tregon një Shqipëri me këto probleme dhe një raport të Ministrisë së Jashtme që tregon pjesën tjetër të vendit. Ndërkombëtarët nuk çuditen, ngjarjet janë në dijeninë e tyre, por ata nuk hynë për të zgjidhur problemet tona. Ata kanë influencuar në raste ekstreme, por nuk do të thotë se ata do të zgjidhin problemet e kriminalitetit tonë.

Pandi Gjata: Deri ku shkon kjo protestë që starton pas pak orësh? Do të vazhdojë pas të enjtes kjo protestë?

Grida Duma: Politika është akti dinamik i të bërit aktiv. Sigurisht që do të vazhdojë, nuk ka mbetur një mjet tjetër. Populli duhet të kuptojë që kësaj qeverie duhet t’i jepet një mësim, e cila po tallet. Ngjarja shfaqet në media dhe thonë mos e shikoni. Ky popull nuk trajtohet me gënjeshtra. Protesta e nesërme nuk është e opozitës, por e qytetarit shqiptar, i cili duhet të kuptojë se në çfarë rreziku e ka vendosur veten duke mos reaguar. Kemi arritur gati në një diktaturë të kësaj qeverisje.

Pandi Gjata: Mos ka një kontradiktë që nuk e pranoni këtë qeverisje, por nuk kërkoni as zgjedhje të parakohshme?

Grida Duma: Ne kërkojmë që ta vendosim këtë qeveri në pozita të përgjegjshme. Kryeministri duhet të marri përgjegjësi, por në profilin politik të tij nuk e kemi parë këtë. Rama ka deklaruar se do të dorëhiqet, por kurrë nuk e bëri. 

Top Channel