Edhe Lazarati proteston kundër drogës

15/05/2014 00:00

Pjesë e protestës së opozitës u bë edhe Dashamir Aliko, kreu komunës së Lazaratit, komunë e cila është etiketuar tashmë si epiqendra e prodhimit të kanabisit.

Zoti Aliko ka qëndruar për disa minuta mes protestuesve, së bashku me një grup banorësh nga fshati më i fasmshëm i Shqipërisë, Lazarati, ndërkohë që brënda godinës së Parlamentit zhvilloheshin debate, ku Lazarati nuk mbeti pa u përmendur.

Më pas zoti Aliko ka qëndruar për më shumë se 40 minuta në një prej lokaleve përballë parlamentit duke e ndjekur protestën në distancë.

I vetëm, ai ka përshkruar rrugën nga selia kuvëndit, në drejtim të pedonales duke dhënë një intervistë përmes telefonit nga ku dëgjohej të deklaronte se “kanabisi mbillet ne Lazarat për mbijetesë”.

Ky ishte prononcimi i zotit Aliko për Top-Channel.

“Unë jam një kryetar komune, siç janë kryetarët e komunave në të gjithë Shqipërinë. Protesta e sotme ishte e tillë, që ju e dini temën e saj. Isha pjesë e saj, sepse e ka organizuar partia ime. Kjo pasi unë jam nënkryetar i partisë së qarkut, të rrethit, dhe anëtar i kryesisë dhe këshillit kombëtar të PD. Mund të them se jam kundër çdo gjëje të paligjshme”, ka theksuar zoti Aliko, referuar deklaratës së ministrit Tahiri për sekuestrimin e tokave të atyre personave, që mbjellin hashash.

Top Channel