“11 Shtatori”, Obama në Muzeumin përkujtimor

15/05/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama iu është bashkuar të mbijetuarve të 11 Shtatorit dhe ekipeve të kërkim-shpëtimit, në dedikimin e muzeut përkujtimor në vendin e sulmeve, në New York. Obama u tha të pranishmëve se “ai ishte një vend i shenjtë i shërimit dhe i shpresës”.

Muzeumi Kombëtar Përkujtimor i 11 Shtatorit përfshin mijëra sende personale, por edhe pjesë të kullave të ish-Qendrës Botërore të Tregtisë.

Rreth 3000 njerëz vdiqën më 11 Shtator 2001, pasi terroristë të al-Qaeda-s përplasën aeroplanët e rrëmbyer me kullat binjake në Manhattan. Një tjetër aeroplan i rrëmbyer goditi Pentagonin, ndërsa i katërti u përplas në një fushë në Pennsylvania, pasi pasagjerët luftuan me rrëmbyesit.

Presidenti Barack Obama dhe Zonja e Parë, Michelle Obama, vizituan muzeumin, duke parë një mur përkujtimor me fotografitë e viktimave dhe një kamion të dëmtuar nga zjarri, përpara se ceremonia të niste.

Ish-kryebashkiaku i New York-ut, Michael Bloomberg, dhe ish-presidenti i SHBA-ve Bill Clinton, së bashku me të shoqen Hillary Clinton, ish-Sekretare e Shtetit, iu bashkuan ceremonisë.

Në fjalët e para të ceremonisë, Bloomberg tha se muzeumi ishte “një  kujtesë për ne, si dhe për të gjithë gjeneratat e ardhshme, se liria mban mbi vete përgjegjësi të rënda”.

Presidenti Obama tha se muzeumi nënkupton se të gjithë ne mund “të shohim në fytyrë rreth 3000 shpirtrat e pafajshëm”. “Mund të prekin emrat e tyre dhe të dëgjojmë zërat e tyre, të paraqesim sendet e vogla që flasin për bukurinë e jetës së tyre, unazat e martesës, një helmetë pune, një distinktiv shkëlqyes”, tha ai përpara të pranishmëve.

Ashtu si punonjësit e kërkim-shpëtimit, të mbijetuarit dhe të afërmit e viktimave, në ceremoni ka qenë i pranishëm edhe kryebashkiaku i New York-ut në kohën e sulmeve, Rudy Giuliani, kryebashkiaku aktual, Bill de Blasio, si dhe aktori Robert de Niro.

Së bashku me sheshin përkujtimor përreth, muzeumi në New York City ka kushtuar 700 milionë dollarë, para të siguruara nga donacionet dhe fondet publike. Ai, i cili gjendet jo shumë larg vendit origjinë të Qendrës Botërore të Tregtisë, është kryesisht i nëndheshëm. Muzeumi do të jetë tërësisht i hapur për publikun deri më 21 Maj.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel