“Të pezullohet gjykatësi Gjin Gjoni”

14/05/2014 00:00

Dy prokurori, ajo e Durrësit dhe e Elbasanit i janë drejtuar në të njëjtën kohë gjykatave përkatëse, që të pezullojnë nga detyra gjyqtarin Gjin Gjoni, gjithashtu anëtar i KLD-së dhe çiftin e bashkëshortëve Ken Dhima dhe Klorinda Çela, me detyrë gjyqtare në Vlorë dhe në Tiranë.

Kërkesat u bënë publike nga zyra e shtypit e Prokurorisë së Përgjithshme, pasi të tre gjyqtarët janë nën hetim në bazë të kallëzimeve të ILDKP-së për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë e për këtë organi i hetimit kërkon që ata të mos e ushtrojnë detyrën e gjyqtarit derisa të përfundojnë hetimet.

Më herët për çiftin e bashkëshortëve gjyqtarë, Ministria e Drejtësisë i kërkoi KLD-së që t’i shkarkojë nga detyra duke qenë se për ta ka nisur proçedimi penal, kërkesë e cila pritet që të caktohet në rendin e ditës në mbledhjen më të afërt të këshillit.

Prokuroria e Përgjithshme thotë se kërkesa për pezullim nga detyra është depozituar edhe për gjyqtarin e Apelit Tiranë e po ashtu anëtar në KLD.

Në njoftimin për mediat thuhet se, “është dorëzuar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të këtij qyteti kërkesa për caktimin ndaj personit nën hetim Gjin Gjoni masa ndaluese e “pezullimit të ushtrimit të detyrës”, që parashikohet nga neni 242 i Kodit të Proçedurës Penale, duke i ndaluar përkohësisht personit nën hetim të ushtrojë detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit Tiranë”.

Për këtë masë ndaluese, thotë prokuroria, mbahet parasysh se, në vështrim të nenit 241 të Kodit të Proçedurës Penale, Gjoni po proçedohet penalisht për një vepër për të cilën parashikohet dënim mbi një vit burg.

Top Channel