Rama: Prokuroria të bëjë detyrën

14/05/2014 00:00

Për herë të parë kryeministri i vendit, Edi Rama ka artikuluar pakënaqësinë e tij për punën e prokurorisë dhe KLD-së.

Përpara drejtuesve të trupës policore të vendit, Rama tha se, nuk do donte të ndërhynte në punën e institucioneve të pavarura, por shtoi se ka ardhur ora që këto institucione të punojnë.

“Është ora që prokuroria të hyjë në një fazë të re, në fazën e një marrëdhënieje të vendosur me mirëbesim se çdo institucion do të bëjë detyrën, se ne nuk jemi këtu për të ndërhyrë tek institucionet e pavarura, por edhe ato nuk janë të pavarura nga Kushtetuta. Edhe KLD duhet të bëjë detyrën, sepse populli po poshtërohet përditë nga gjykatës që e kanë gjënë më të lehtë në botë të lëshojnë rrugëve kriminelë që ju mezi i kapni”, tha Rama.

Kryeministri akuzoi kupolën e dikurshme të Policisë së Shtetit se ishte e inkrimunar. Ai tha se në polici nuk ka vend më për të korruptuar dhe se duhet të vazhdohet të luftohet ky fenomen tek uniformat blu.

“Nuk ka qenë as 10 as 5 vjet përpara, por shumë më pak kohë kur drejtues të policisë rrinin gatitu ndaj të kërkuarve ndërkombëtarisht, që i nxirrnin jashtë lokaleve sikur të ishin qenë rrugësh e jo policë në mes të Evropës. Ju e dini mirë se nga u buronte këtyre kriminelëve gjithë kjo forcë e imunitet, nga renatat, pagesat për lirinë e tyre të paligjshme. Në polici nuk ka më vend për lidhje të dyfishta”, theksoi Rama.

Ndërsa ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha gjatë këtij takimi se në strategjinë e re që policia ka në luftën ndaj drogës do te jetë edhe heqja e titullit të pronësisë për këdo që mbjell kanabis.

“Do veprojmë me masa ndëshkuese që mund të shkojnë tek heqja e titullit të pronësisë për ata që mbjellin kanabis. Ne jemi të vendosur të ndëshkojmë edhe organizatat kriminale që nuk janë në Lazarat, por që mbështesin këtë kultivim”, deklaroi Tahiri.

Në këtë takim, kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi bëri dhe një kronologji të gjithë dinamikës së lëvizjes së avionit të dorgës që u bllokua në Divjakë.

Top Channel