NAI, Shqipëria i kalon kryesimin Bosnjes

14/05/2014 00:00

Shqipëria i kaloi kryesimin njëvjeçar të Nismës Adriatiko-Joniane Bosnjes, në takimin e Këshillit të Ministrave të vendeve pjesëmarrëse.

“Gjatë drejtimit shqiptar të Nismës Adriatiko-Joniane besoj se arritja kryesore është harmonizimi i axhendës sonë me axhendën europiane, përkatësisht me përpjekjet që janë bërë për miratimin e strategjisë të Bashkimit Europian për rajonin.

Pra, do të ketë një strategji të BE të ngjashme si për rajone të tjera, për shembull makrorajonin e Danubit, ku vende të ndryshme, anëtare dhe joanëtare të BE-së, siç janë dhe vendet e Nismës Adriatiko-Joniane do të punojnë së bashku për projekte të caktuara, kryesisht në fushën e energjisë, infrastrukturës, të zhvillimit të bregdetit.

Gjithashtu do të punojmë së bashku për të gjeneruar instrumentat financiarë, në mënyrë që këto politika e projekte të jetësohen”, deklaroi ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Dokumentet përfundimtare për strategjinë i përcillen Këshillit të BE-së brenda këtij viti, gjatë presidencës italiane. Deklarata e Brukselit, miratuar në përfundim të takimit, thekson rëndësinë e bashkëpunimit ndërqeveritar në mbështetje të stabilitetit, rritjes ekonomike dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Ato kujtojnë zbatimin e projekteve të miratuara e të bashkëfinancuara në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Rajonal 2012, si dhe vlerëson tryezat e mbajtura gjatë presidencës shqiptare për fushën e biznesit, turizmit, transportit e bashkëpunimit detar, për parandalimin e djegies së pyjeve, takimin e kryeparlamentarëve dhe shoqërisë civile.

Nisma Adriatiko-Joniane u krijua në vitin 2000 dhe përkrah Shqipërisë e Bosnjes, në të bëjnë pjesë Kroacia, Greqia, Italia, Sllovenia, Mali i Zi dhe Serbia.

Top Channel