Mazhoranca rrëzon dekretin e Presidentit

14/05/2014 00:00

Mazhoranca qeverisëse në Komisionin e Ligjeve rrëzoi dekretin e Presidentit për anëtar të Gjykatës së Lartë, nëpërmjet të cilit propozohej kryetari i Gjykatës së Apelit të Tiranës, Alaudin Malaj.

Me një opozitë që mungoi në Komision, mazhoranca e kaloi me qetësi propozimin për rrëzimin e dekretit.  Rrëzimi, sipas socialistëve bëhet per shkak se njoftimi nga Presidenca është bërë dy muaj me vonesë dhe se Presidenti nuk ka respektuar ligjin për Gjykatën e Lartë.

Gjithashtu, socialistët thonë se takimet e grupeve parlamentare me Presidentin nuk kanë qenë konsultuese, sic kërkon vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Kryetari i Komisinit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj tha se presidenti nuk ka respektuar kriteret, ai ka injoruar Kuvendin, duke e konsideruar atë një noter të dekreteve të tij.

Ndërsa deputeti i LSI-së, Spartak Braho shkoi edhe më tej në qëndrimin e tij kundër presidentit Bujari Nishani, kur deklaroi se mazhoranca duhet të nisë procedurat për shkarkimin e Presidentit, sepse ai nuk ka ndërmend të ndryshojë praktikë me dekretet e tij. Megjithatë në fund, zoti Braho ishte i vetmi që abstenoi, kur mazhoranca e gjitha votoi për mosdhënien e pëlqimit për dekretin e Presidentit.

Top Channel