“Marrëveshja mbi toponimet tregon seriozitetin tonë”

14/05/2014 00:00

Ditmir Bushati, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, ka deklaruar se zgjidhja e çështjes së toponimeve me Greqinë “dëshmon seriozitetin e qeverisë sonë për t’i dhënë zgjidhje praktike problemeve të trashëguara nga vitet e mëparshme”.

Shqipëria dhe Greqia arritën marrëveshjen për çështjen delikate e problematike të toponimeve para dy ditësh. Ditmir Bushati dhe Evangelos Venizellos, respektivisht dy ministrat e Jashtëm të dy vendeve, kanë përmbyllur marrëveshjen në Bruksel.

“Kemi rënë dakord për një marrëveshje që reflekton interesin e të dyja palëve dhe bazohet në rregullat e së drejtës ndërkombëtare. E kemi konsideruar një çështje të karakterit teknik dhe jo politik që do krijonte elementë të pakëndshme në marrëdhëniet tona”, tha Bushati.

“Shqipëria dhe Greqia kanë vendosur 1 janarin e 2015-s si afat për lëvizjen e lirë të qytetarëve në përputhje me moratoriumin ekzistues që qeveria greke bëri për qytetarët tanë me rastin e Pashkëve. Qeveritë angazhohen për të ndërmarrë masat e nevojshme ligjore që deri më 1 janar të jetë zgjidhur kjo çështje përfundimisht. Do të biem dakord për mënyrën sesi do të shkruhen ato zona gjeografike për të cilat kanë lindur këto probleme”, shtoi Bushati.

Ministri i Jashtëm theksoi gjithashtu se “kjo çështje, me t’u zbatuar në mënyrë rigoroze, nuk do të jetë më në axhendën e qeverive tona. Pas kësaj, do të ecim me vendosmëri drejt zgjidhjes së çështjeve të tjera mes dy vendeve tona”.

Top Channel