Komisioni i Veprimtarive Prodhuese ka thirrur në një seancë dëgjimore operatorët e telefonisë celulare. Në seancë janë shfaqur divergjencat që ekzistojnë mes operatorëve sa i përket diferencimit të madh të cmimeve “on net” dhe “off net”, ose sic quhen ndryshe tarifat për thirrjet brenda të njëjtit operator dhe ato mes operatorëve të ndryshëm.

“Për të folur nga njëri operator tek tjetri, me miq, kolegë apo konsumatorë të tjerë, duhet të mbajë nga 2-3 telefona, një abonent i Vodafone-it që do të marrë një abonent të Plus-it duhet të paguajë të paktën 38 lekë për minutë, ndërkohë që brenda për brenda Vodafone-it flasin me cmime shumë të ulta, të cilat subvencionohen nga cmimet më të lartë”, thotë Matilda Shehu, Drejtore Ekzekutive e Plus.

Sipas zonjës Shehu pjesa e tregut të operatorëve të mëdhenj po rritet, ndërsa operatorët e vegjël nuk po gjejnë hapësira. Një tjetër cështje problematike mbetet mosdhënia e licencës së fundit 3G.

“Plus kërkon që procedura të kryhet në mënyrë të drejtë, të barabartë, pa diskriminim, sic është kryer edhe për operatorët e tjerë dhe t’i jepet e drejta që edhe Plus, pas 20 muajsh nga dhënia e operatorit të tretë, të arrijë të marrë licensën 3G”, deklaroi Shehu.

Drejtori Ekzekutiv i Vodafone Albania hodhi poshtë pretendimet se paketat e ofruara nga ky operator jepen nën kosto.

“Asnjë paketë në treg nuk shitet nën kosto. Të jeni të sigurt është pjesë e rregullimit dhe rregullimi është plotësisht i qartë në këtë aspekt”, deklaroi Dietlof Mare, Ceo i Vodafonë Albania.

Përfaqësuesi i AMC kërkoi rregulla të drejta dhe të ndershme për të gjithë operatorët në treg, ndërsa drejtuesit e Eagle Mobile kërkuan që të vendosen cmime tavan për thirrjet jashtë rrjetit, si e vetmja mënyrë për të rregulluar tregun.

“Kërkojmë vendosjen e cmimit tavan për cmimet jashtë rrjetit. Kjo është një pikë ku pajtimtarët fundorë futen në një grackë dhe eliminohet e drejta për të dalë jashtë rrjetit”, tha Erkand Tabak, Drejtor Ekzekutiv i Eagle Mobile.

Lidhur me hetimin e fundit mbi pozitën dominuese në treg, kreu i Autoritetit të Konkurrencës tha se vendimi u bazua në gjykimin se sot konsumatori shqiptar ka mundësi zgjedhjeje.

“A është i detyruar? A është një klient i vëmendshëm apo është një klient i pavëmendshëm? Kjo është tërësia e gjithë informacionit dhe ne themi në periudhën afatshkurtër, konsumatori ka përfituar, kush ka qenë i vëmendshëm. Nuk janë paketa që realizohen vetëm në Shqipëri, realizohen në të gjithë botën”, deklaroi Lindita Milo, kryetare e Autoritetit të Konkurencës.

Top Channel