Durrës, Ujësjellësi pret lidhjet e paligjshme

14/05/2014 00:00

Dega teknike në bashkëpunim me Inspektoriatin e Ujësjellësit të Durrësit kanë zhvilluar aksionin për prerjen e 50 lidhjeve të paligjshme, të cilat ishin lidhur në tubacionin e vjetër që kalon në zonën e Rrashbullit.

Lidhjet ishin bërë në tubacionin 400 mm duke shkaktuar një humbje të konsiderueshme të ujit të pijshëm. Pas evidentimit të lidhjeve, të cilat janë bërë pa miratimin e ndërmarrjes Ujësjellës-Kanalizime, dega teknike së bashku me inspektoriatin i kanë prerë të gjitha lidhjet në fjalë.

Kryetari i degës teknike Lorenc Facja tha se në zonën që njihet si Mulliri i Bullgarit “kemi evidentuar 50 lidhje të paligjshme, të cilat janë ndërprerë sot dhe kështu do të vazhdojmë edhe me lidhje të tjera që do të evidentojmë në të ardhmen”.

Ai iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që nuk kanë bërë kontratë me Ujësjellësin që të paraqiten pranë ndërmarrjes për të bërë kontrata pasi të gjitha këto lidhje do të ndërpriten.

Prej më shumë se një muaji Ujësjellësi i Durrësit ka zhvilluar disa aksione të tilla për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme që janë bërë në rrjetin e ujit të pijshëm. Pas aksioneve në Shkozet, autostradë dhe zonën e plazhit, aksioni do të vijojë në zonën e shëtitores “Taulantia”, në lagjen nr. 1 të qytetit bregdetar.

Top Channel