Basha: Jo zgjedhje, të largohet Rama

14/05/2014 00:00

Me protestën e së enjtes, Partia Demokratike nuk kërkon zgjedhje të reja, as një shumicë tjetër politike, por largimin e Kryeministri Edi Rama dhe reflektimin e kësaj mazhorance për t’i vënë fre, sipas saj trafikut galopant të drogës.

Ky ishte mesazhi i përcjellë nga kreu i demokratëve Lulzim Basha në një takim që zhvilloi me të rinjtë pasditen e së mërkurës në selinë blu.

“Nuk kërkojmë zgjedhje, por kërkojmë largimin e atij që ka përgjegjësinë, Edi Ramës. Nuk kërkojmë një shumicë të re politike, por kërkojmë që kjo shumcië sot në parlament të reflektojë atë që ndjen shumica e cdo shqiptari sot, i djathtë dhe i majtë, përgjegjësi Edi Rama të shkojë në shtëpi”, deklaroi Basha.

Basha tha se vendi po shkon drejt oligarkisë së baronëve të drogës dhe akuzoi kryeministrin Rama se po vë në zbatim dhe po mbron me këmbëngulje një plan të përgatitur që para se të vinte në pushtet.

“Këto 9 muaj të qeverisjes së Edi Ramës droga ka pushtuar edhe ajrin. Historia nuk është avioni i drogës në Divjakë, historia është droga me avionë, historia janë bosët dhe baronët e drogës, është karteli i drogës i cili ka marrë vrull dhe ka vënë në zbatim planin e vet ogurzi të përgatitur që para zgjedhjeve të kaluara dhe po e vijon atë me këmbëngulje për të blerë zgjedhjet, pushtetin, lirinë, ajrin, ujin, dritën dhe gjithcka që kemi të mirë në këtë vend me paratë e pista të drogës, duke vendosur oligarkinë e drogës që është fundi i lirisë dhe demokracisë. Pyetja që shtrohet sot është, a do t’i lejojmë? A do të ngrihemi dhe do t’i ndalim?”, deklaroi Basha.

Për Partinë Demokratike nga radhët e policisë janë larguar i profesionistë që kanë luftuar krimin dhe janë zëvendësuar me persona me precedentë penalë të larguar nga uniformat blu edhe nga vetë ministrat socialistë.

Opozita pretendon se kryeministri Rama është larg halleve të shqiptarëve dhe po kërkon t’i largohet përgjegjësisë që ka duke fshehur të vërtetën dhe duke e kërcënuar atë me stile mafioze.

***

Më herët, deputeti i Partisë Demokratike Arben Ristani akuzoi kryeministrin Rama dhe Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për gjendjen, sipas tyre, alarmante në të cilën ndodhet siguria publike.

Në një deklaratë për shtyp pas takimit të kryeministrit Rama dhe ministri Tahiri me strukturat e policisë, deputeti Ristani tha se shkarkimet e profesionistëve dhe rikthimi në detyrë i elementëve kriminalë, sipas tij, të shkarkuar nga vetë Partia Socialiste para vitit 2005.

“Janë Edi Rama dhe vegla e tij Saimir Tahiri që shkatërruan policinë kur erdhën në pushtet. Denigruan mijëra policë patriotë që përmes zbatimit të ligjit arritën ta fusnin vendin në NATO dhe të sillnin heqjen e vizave. Janë Rama dhe Tahiri që po kthejnë në polici elementë të shkarkuar nga vetë PS”, tha Ristani.

Më tej deputeti demokrat shtoi se kjo do të ketë pasoja për rendin dhe sigurinë e vendit.

“Kjo do të vijë me një faturë të rëndë për rendin dhe sigurinë e vendit. Policia jo vetëm që nuk ka rilindur, por asaj i kanë rënë krahët. Situata, me tritol, drogë dhe vrasje. Zoti Rama, ti je përgjegjës për shkallmimin e policisë, për këtë situatë krimi në vend, për narko-trafikun që ka mbushur Shqipërinë dhe po vërshon në Europë”, shtoi ai. 
 

Top Channel