Roskoveci, vendi i vizituar nga UFO-t

13/05/2014 00:00

Kur flitet për UFO-t, njerëzit janë më të interesuar se kurrë. Mistikja dhe e panjoura bëhen bashkë në kufirin midis fantazisë dhe fantashkencës, për të ndërtuar një mit urban, që ka prodhuar shumë debate nga skeptikët.

Objektet Fluturuese të Paidentifikuara, shkurtesa në shqip e UFO-ve, ashtu sikur në të gjithë botën, nuk përbëjnë më fenomen të panjour në vendin tonë. Rastet e njerëzve, që pretendojnë se kanë parë objekte të çuditshme në qiell, nuk kanë munguar, madje duke u dokumentuar me foto dhe filmime.

Rasti më i famshëm i vizitës së UFO-ve në Shqipëri është ai i qytezës së Roskovecit, më 4 Maj 2006, në orën 19:00. Tre dëshmitarë okularë, një grua e rritur dhe dy fëmijë, por edhe gjithë banorët e qytezës së Roskovecit, besojnë se qyteti i tyre, në orët e pasdites, u vizitua nga një objekt i paidentifikuar.

Pretendimi nuk është fare i palogjikshëm, pasi kjo foto e shkrepur nga fotografi Alim Çepele dëshmon uljen e një objekti të paidentifikuar. Tre rrathë të zinj të fotografuar, që sipas banorëve qenë të nxehtë edhe një ditë më pas, ishin dëshmia e madhe e objektit që preku Tokën dhe në një fragment sekondash bëri që zona përreth – sipas dëshmitarëve – të ndriçohej, errësohej në moment, dhe më pas të përfshihej nga një erë e ftohtë dhe e fortë.

Dëshmitarët thanë se, të nesërmen, shenjat e lëna në asfalt ishin të theksuara, ndërsa treguan se petalet e trëndafilit ishin djegur, kur i kishin vënë mbi hirin e lënë nga objekti.

Top Channel