PS: PD, sulme të qëllimshme policisë

13/05/2014 00:00

Partia Socialiste akuzoi opozitën se po ngre stuhi sulmesh ndaj Policisë së Shtetit, me qëllim denigrimin dhe demotivimin e saj në punën kundër krimit. Deputeti Besnik Bare tha se droga, që po bllokon sot policia, është mbjellë kur vendin e drejtonte pikërisht Sali Berisha.

“Sot shqiptarët ishin dëshmitarë të sulmit të neveritshëm, që opozita po i bën forcave të rendit, procesit të integrimit europian, imazhit të vendit. Pa fakte, por vetëm me shpifje e gënjeshtra të neveritshme, opozita tenton të dezinformoje opinionin publik. E vërteta është se Policia e Shtetit është në detyrë dhe sot, aksionet policore janë shumë herë më të suksesshme se një vit më parë, kur Shqipëria qeverisej pikërisht nga ata, që sot janë në opozitë.

Të gjithë e dinë se kanabisi mbillet në verë. Droga e konfiskuar nga policia është drogë e mbjellë kur qeveriste Berisha. Por, ndryshe nga koha e Berishës, policia sot po ndalon trafikun e drogës. 19 ton kanabis të kapura nga Shtatori në Prill të këtij vit, vetëm 14 ton të kapura një vit më parë. Çfarë bëri qeveria e kaluar në 8 vjet për të ndalur trafikun e drogës? Shifrat flasin qartë. Gjatë qeverisjes së kaluar droga është mbjellë më shumë dhe është kapur më pak.

Sot, shqiptarët duhet të kenë besim në institucionet shtetërore dhe të mos bien prè e propagandës së opozitës, që në një moment kyç për integrimin europian, përpiqet me çdo kusht të nxijë imazhin e vendit. Policia e Shtetit është duke luftuar ashpër me një monstër, që është trafiku i drogës dhe krimi i organizuar. Një monstër që, për 8 vjet u forcua çdo ditë e më shumë, por që sot po jep shpirt. E teksa jep shpirt, përpiqet sigurisht të godasë me ndonjë kafshim të fundit”, është shprehur deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Baraj.

Avioni, Rama njofton dalje publike
Kryeministri, mesazh në Facebook

Në një kohë kur opozita është tërësisht e angazhuar në debatin politik për avionin e drogës, kreu i qeverisë Edi Rama ka paralajmëruar një dalje publike e cila lidhet pikërisht me këtë zhvillim.

Ndërkohë që ish-kryeministri Berisha kishte dalë përpara medias dhe më herët kryetari i PD-së Lulzim Basha, Edi Rama postojnë një mesazh në rrjetin social Facebook ku thotë: “Sot në 6 do të flas unë. Faleminderit atyre që do mund të më ndjekin drejtpërdrejtë!”.

Kjo do të jetë dalja e parë publike e kryeministrit Rama pas zhvillimeve të së shtunës, ku policia shqiptare deklaroi se parandaloi një trafik ndërkombëtar droge.

Deklaratat e kryeministrit priten me interes në një kohë kur e gjithë opozita është angazhuar në një betejë politike, madje nuk ka ngruruar që krahas paralajmërit të protestave të kërkojë dorëheqjen e qeverisë. 

Top Channel