Vetëm pak ditë pasi ka nisur aksioni i Inspektoriatit të Mjedisit dhe Policisë Pyjore, për të mbrojtur shfrytëzimin e pyjeve nga prerjet e paligjshme, 12 persona janë dërguar për ndjekje penale, ndërsa mbi 30 subjekte janë ndëshkuar me gjoba.

Kreu i Inspektoriatit të Mjedisit, Ergys Agasi, theksoi se është vënë re një tentativë e subjekteve, të cilët ushtrojnë këtë aktivitet në mënyrë të paligjshme, për të falsifikuar dokumentacionin e kërkuar.

“Pikërisht dje në qarkun e Elbasanit, në rrethin e Librazhdit, janë sekuestruar 114 metër kub lëndë drusore. Po ashtu, 9 kamionë të ndaluar në Gramsh, të cilët transportonin lëndë drusore të llojit A dhe nuk ishin të shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm, pra me lejen e transportit. Janë kapur subjekte, të cilët kanë pasur dokumente të falsifikuara, që nuk kanë dalë me vulat origjinale, apo që kanë qenë të pajisura me numrin e protokollit përkatës, nga DSHP-ja e Elbasanit”, tha Ergys Agasi, kryeinspektor i Mjedisit.

Qarqet më problematike, ku janë kapur subjekte që ushtrojnë këtë aktivitet në mënyrë të paligshme, janë Shkodra, Lezha, Elbasani, Korça, Tirana e Durrësi. Agasi thekson se kanë gjetur mbështetjen e Prokurorive të rretheve dhe shkelësit e ligjit kanë marrë dënimin e merituar. Në rastet e gjobave, ato variojnë sipas dëmit.

“Nuk është e njëjtë vlera e dënimit, apo vlera e dëmit për secilin subjekt. Sa i përket atyre që ne kemi kontrolluar vetëm për këtë muaj, ka subjekte që kanë shkaktuar një dëm prej 1 milion lekësh (100 mln të vjetra), por ka edhe subjekte që kanë shkaktuar një vlerë dëmi prej 15 deri në 20 milionë lekësh (150-200 mln të vjetra)”, ka theksuar Agasi.

Kreu i Inspektoriatit të Mjedisit, Ergys Agasi, deklaron se aksionet e policisë do të viojnë, deri kur shkelësit të ndërgjegjësohen se nuk mund të prekin pyjet, pa qenëe të pajisur me dokumentacionin e duhur.

Top Channel