Hetimi parlamentar për drogën

13/05/2014 00:00

Ngecja e avionit të narkotrafikut në plazhin e Divjakës ka ndryshuar të gjithë axhendën e opozitës, duke e shndërruar zbardhjen e çështjes së trafikut të drogës në pikën e vetme të aktivitetit të saj politik.

Por opozita nuk kërkon që ta bëjë me hetimin nga komisioni parlamentar i ngritur prej mazhorancës, për shkak se siç thonë demokratët, qëlimi i këtij komisioni është rrëzuar bashkë me avionin e drogës.

“Ju thoni në objekt rrëzimin dhe përgënjeshtrimin e akuzave të opozitës për trafik droge. Ky objekt i juaji ra. Komisioni duhet të pushojë veprimtarinë e vetë”, deklaroi deputeti i PD, Oerd Bylykbashi.

“Këtë vendim e ka marrë Kuvendi, nuk e ndryshojmë dot ne. Ju jeni me teorinë ‘shpif, shpif se diçka do të mbetet’”, replikoi deputetja e PS, Ermonela Felaj.

Duke u larguar përfundimisht nga komisioni hetimor parlamentar, opozita ka përgatitur edhe hapin tjetër. Demokratët kanë dorëzuar në Parlament kërkesën për ngritjen e një komisioni tjetër hetimor, që synon të verifikojë të dhënat për “fenomenin e rritjes së trafikut të drogës”, përfshirë përdorimin e hapësirës ajrore nga narkotrafikantët, rolin e funksionarëve publikë dhe masat e marra për informacionet e ardhura në forma të ndryshme.

Pjesë e hetimit të këtij komisioni Partia Demokratike synon të bëjë edhe kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, që sipas opozitës, ngritën alibi shtetërore për të mbuluar trafikun e drogës nëpërmjet hapësirës ajrore, kur folën për mushkonja dhe mohuan kategorikisht përdorimin e hapësirës ajrore për narkotrafik.

Top Channel