Policia, votohet raporti i mazhorancës

12/05/2014 00:00

Komisioni hetimor për shkarkimet dhe emërimet në Policinë e Shtetit ka përfunduar mes debatesh për votimin e raportit përfundimtar.

Kreu i këtij komisioni, Arben Ristani lexoi një raport i cili në konkluzionet e tij i kërkonte prokurorisë nisjen e hetimeve për drejtorin e përgjithshëm të policisë, Artan Didi.

“Rezulton se janë shkurtuar 80 funksione organike në strukturën e forcave të posaçme, që kanë sjellë rënien e efikasitetit të luftës kundër krimit. Së pari ne kërkojmë fillimin e hetimit për shpërdorim detyre për drejtuesit e Policisë së Shtetit që kanë shkelur ligjin gjatë procesit të ndarjes së burimeve njerëzore. Gjithashtu, kërkojmë që të rihetohet roli i shtetasit Artan Didi në vrasjen e një shtetasi të pafajshëm gjatë një aksioni policor”, deklaroi Ristani.

Ndërsa nënkryetari Taulant Balla, duke e quajtur atë një raport të minorances, dha konkluzione më vete, të cilat i prezantoi si pjesë të raportit të mazhorancës së këtij komsioni.

“Në konkluzion, në emër të mazhorancës, vlerësojmë se reforma e nisur nga drejtuesit e policisë dhe Ministrisë së Brendshme ka pasur efekt në luftën kundër krimit të organizuar dhe kriminalitetit në tërësi. Konstatojmë se kjo reformë do të shtrihet më tej”, deklaroi Balla.

E ndërsa nisën diskutimet për hedhjen në votim se kush do të ishte raporti përfundimtar, anëtarët e komisionit janë përfshirë në debate në lidhje me ngjarjen e Divjakës.

“Ju të PD-së shkoni pyesni Berishën, sepse këtë linjë ka shumë mundësi që ta ketë përdorur vetë ai kur ka qenë në qeveri. Sepse gjatë asaj kohe ka pasur 90 avionë të tillë që kanë pasur leje hyrjeje në Shqipëri. Të hetohet edhe kjo”, tha Balla.

Ndërsa depueti i PD-së, Flamur Noka tha se, akuzat ndaj ushtrisë për përfshirje në trafik droge qëndrojnë. “A mund të më thoni për ç’arsye na u desh të vëmë blloqe betoni çdo 50 metra në pistën e Gjadrit, ku sipas jush nuk ka pasur rrezik dhe sipas jush hapësira ajrore është e sigurtë”, u shpreh Noka.

Komisioni u mbyll me votim vetëm nga deputetët e mazhorancës.

Top Channel