Basha: Kërkojmë dorëheqjen e qeverisë

12/05/2014 00:00

Demokratët nuk e kishin menduar kurrë se do të kërkonin kaq shpejt dorëheqjen e një kryeministri të zgjedhur me 1 milionë vota, por ngecja e avionit të narko-trafikut  në plazhin e Divjakës, me sa duket e ka bërë të pashmangshme kërkesën e dorëheqjes, e cila u artikukulua nga kreu i opozitës, Lulzim Basha pas një mbledhje me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PD-së.

“Partia Demokratike dhe mbarë opozita kërkojnë sot dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë Rama. As më shumë, as më pak. Dorëheqja e kësaj qeverie është imperativi i ditës për të reflektuar përgjegjësitë e papërmbushura nga shumica, për të ndaluar revanshin ogurzi të narkotrafikut dhe  krimit, për të zhbllokuar jetën demokratike dhe procesin e integrimit të vendit në Europë. Populli shqiptar nuk pranon të qeveriset as nga një qeveri kukull e krimit të organizuar, as nga një qeveri  e bërë njësh  me narko-trafikun”, tha Basha.

Kërkesa për dorëheqje u shoqërua me akuza të forta në adresë të qeverisë së Kryeministrit Edi Rama.

“Për ne dhe çdo shqiptar me sy në ballë sot është akoma më e qartë se dje: kanë heshtur sepse e kanë ditur, kanë refuzuar, janë tallur dhe kanë kërcënuar sepse e kanë ditur, sepse janë brenda, sepse përfitojnë, sepse po bëjnë lekë droge, që përmes fuqisë të parave të drogës dhe dhunës të rrënjosin pushtetin e parave të pista dhe dhunës, që si i tillë, vetëm i popullit dhe për popullin nuk mund të jetë. Partia Demokratike, opozita dhe jam i bindur, mbarë opinioni i shëndoshë publik, akuzon sot me zë të  lartë  kryeministrin Edi Rama dhe kupolën e tij për implikim të drejtpërdrejtë  në fshehjen e skandalit të narko-trafikut nga Shqipëria, për mbështetjen politike që i ka dhënë kësaj veprimtarie mafioze të përmasave të mëdha që rrezikon bazat e rendit juridik e shtetëror dhe njollos rëndë imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare”, deklaroi Basha.

Një reagim i tillë kaq i fortë i kryetarit të Partisë Demokratike nuk është fare i papritur. Ky ishte një reagim i paralajmëruar që të dielën, kur ish-drejtuesit më të lartë të Partisë Demokratike, ish-kryetari Sali Berisha dhe ish-nënkryetarja Jozefna Topalli kërkuan largimin e kryeministrit Rama dhe bënë thirrje për protesta në faqet e tyre në Facebook.

Pas mbledhjes së grupit parlamentar, zoti Basha e zyrtarizoi mbajtjen e protestës të enjten një protestë që do të zhvillohet në kohën e seancës plenare.

“Partia Demokratike dhe opozita do të udhëheqë protestën e pandalshme popullore, deri në largimin e Edi Ramës nga kreu i qeverisë. Për këtë arsye, këtë të enjte në orën 10 ftojmë qytetarët shqiptarë, burra dhe gra, të rinj dhe të reja, fëmijë dhe të moshuar, të majtë, të djathtë e pa parti, në një protestë popullore kundër oligarkisë së drogës dhe për të kërkuar më zërin e fuqishëm të bashkimit largimin e qeverisë Rama. Të ngrihemi në protestë, më të vendosur se kurrë për luftuar e ndaluar kursin kriminal, anti-popullor dhe anti-europian të oligarkisë së drogës. Të ngrihemi në këmbë, më të bashkuar se kurrë, për ta çuar në shtëpi qeverinë e narkotrafikut dhe mashtrimit në kurriz të shqiptarëve dhe të ardhmes së tyre”, mbylli deklaratën e tij kreu i PD.

Balla: PD baltos policinë
Berisha dhe Basha, të dëshpëruar nga suksesi i policisë

Deputeti socialist Taulant Balla, në një deklaratë për shtyp të mbajtur pasditen e së hënës, i është përgjigjur paralajmërimit të PD për protesta, në lidhje me trafikun e drogës.

Në deklaratën e tij, Balla tha se, lidershipi i opozitës organizon protesta si pasojë e dëshpërimit nga fakti se, “policia është kthyer në krye të detyrës”.

“Vetëm Berisha dhe Basha bëjnë thirrje të dëshpëruara për protesta, pse policia është kthyer në krye të detyrës dhe po goditet krimi. Vetëm PD mund të nxjerë konkluzione të shpifura kur një ngjarje e tillë është nën hetim”, deklaroi Balla, duke shtuar se, PD do që ta përdorë ngjarjen politikisht.

“Në fillim thanë se avioni ra nga pesha, por pastaj doli se avioni ishte bosh. Çantat për të cilat flasim ndodhen në prokurori dhe nuk përmbanin asgjë. Filozofia e kësaj partie është ‘shpif, shpif se dicka do mbetet’”, u shpreh Balla.

Deputeti socialist shprehu mbështetjen për policinë, e cila sipas tij, “po bën detyrën e vetë siç i takon një shteti demokratik”. “Piloti është në duart e drejtësisë, trafikanti është kapur. Të presim përfundimin e këtij hetimi. Sot, ndryshe nga koha e ikur e Saliut, shteti është në krye të detyrës”, shtoi Balla.

Top Channel