Profesor Myftar Barbullushi, një ndër anëtarët e komisionit për reformën e arsimit të lartë, tha se e gjithë struktura e re e organizimit, por edhe e përzgjedhjes së bordeve drejtuese ka në themel studentin dhe pedagogun.

Ky komision po përpiqet t’i japë një tjetër dimension universitetit shqiptar publik, duke rritur autoniminë por edhe cilësinë. Profesor Barbullushi sqaron se bordi akademik, i cili në përbërje do të ketë gjithë stafin pedagogjik, do të ketë të drejtën për të përzgjedhur senatin dhe anëtarët e tij do të përzgjedhin rektorin.

Nga këto zgjedhje përjashtohen studentët, të cilët do të jenë pjesë e komiteteve që do të vlerësojnë cilësinë e studimeve.

“Në themel të zgjedhjeve është bordi akademik, që do të thotë përfaqësi e gjithë stafit akademik. Është bordi që do zgjedhë senatorët, të cilët tashmë do të zgjedhin rektorin, këshilli shkencor do zgjedhë dekanët dhe në fund janë anëtarët e departamenteve që do të zgjedhin shefin e tyre”, deklaron Barbullushi.

Një pikë mjaft e debatueshme mbetet përzgjedhja e menaxherëve të cilët do të administrojnë financat e departamenteve në kërkimin shkencor.

“Bordi administrativ i votuar asistohet nga bordi akademik, zgjedh një drejtor që do të ketë influencë në të gjitha bërthamat e departamentit, sidomos tek ata që kanë dimensione më të mëdha”, sqaron Barbullushi.

Profesor Barbullushi tha se nuk është e vërtetë që tarifat për studentet do të rriten 10 herë. Qeveria do të miratojë një dysheme dhe vetë universitetet do të përcaktojnë tarifat dhe numrin e studentëve në bazë të paramatrave të cilësisë.

“Çdo universitet ka të drejtë të operojë me tarifat e tij. Ne sugjerojmë rritjen e tyre, por shteti do vendosë një tavan mbi të cilin tarifat nuk do të shkojnë. Çdo student që nuk do ketë mundësi financiare do të marrë bursë dhe çdo student i ekselencës do ketë mbështetje”, shton Barbullushi.

Komisioni për reformën në arsimin e lartë po përpiqet t’i japë universiteteve një tjetër mënyrë drejtimi që i con drejt cilësisë dhe autonomisë, por që do të shkund thellësisht universitetet nga mënyra aktuale e drejtimit.

Top Channel