Panairi i Midhjes i ka paraprirë në Sarandë çeljes së sezonit turistik të këtij viti. Të paktën 40 prodhues midhjesh janë prezantuar në panair me produktin e tyre, midhjen e Butrintit.

“Nga 10 tonë kemi arritur të prodhojmë 500 tonë midhje. Ky është sezoni më i mirë. Shpresojmë të kemi shumë turistë këtë vit”, u shpreh një prodhues.

“Saranda këtë vit është më e gjelbër, me më shumë plazhe publike të shtuara, më i pastër dhe ka histori të tjera. Ka siguri se këtë sezon do të ketë rritje turistike”, deklaroi kryetari i bashkisë, Stefan Çipa.

Liqeni i Butrintit, me sipërfaqe rreth 1.600 hektarë, numëron aktualisht rreth 78 impiante midhjesh prej të cilave gati 70 janë efiçente.

Prodhimi vjetor i midhjes së Butrintit shkon në 15 mijë kv, sasi që në masën 70% shkon në tregun vendas, ndërsa pjesa tjetër mbetet në ujë për mungesë tregu.

Prej 20 vitesh, midhja e Butrintit është bllokuar nga tregu europian për shkak të pretendimeve mbi kriteret e mbarështimit. Të gjitha përpjekjet për ta kthyer në një produkt të standardizuar për tregun e huaj kanë qenë të pasuksesshme.

Megjithatë, prodhuesit presin që kjo bllokadë të marrë fund për të ofruar edhe jashtë vendit një nga produktet më cilësore shqiptare.

Top Channel