Çelet Fundjava Gjirokastrite në Tiranë

10/05/2014 00:00

Gjirokastra është jo vetëm një nga qytetet e mbrojtura nga UNESCO, por edhe një vend mjaft interesant për t’u vizituar nga turistët shqiptarë.

Ministri i Mirëqënies Sociale, Erion Veliaj, pasi ka çelur në sheshin Vëllezërit Frashëri në Tiranë “Fundjavën Gjirokastrite”, ka ftuar të gjithë shqiptarët të vizitojnë këtë qytet, i cili ndodhet vetëm 3 orë larg kryeqytetit.

“Sot Gjirokastra ka mbi 200 shtëpi të hapura për publikun, të gjithë e kanë hapur shtëpinë për vizitorët. Para se të bëjmë publicitet për turizmin e huaj, janë vendasit që me një kosto të ulët mund të kalojnë një ditë të bukur si turistë në Gjirokastër”, deklaroi Veliaj.

Veliaj theksoi se në këtë qytet prodhohen shumica e produkteve shqiptare dhe niveli i punësimit është ndër më të lartët.

“80 për qind e ushqimeve të Shqipërisë prodhohen në Gjirokastër. Ai është qyteti jo vetëm me më pak ndihmë ekonomike, por me më shumë qytetarë të punësuar e që i krijojnë vetes punë”, tha Veliaj.

Në sheshin Vëllezërit Frashëri ky minipanair do të qëndrojë i hapur për dy ditë.

Top Channel