Zagani raportonte te Guardia di Finanza

05/05/2014 00:00

Gjykata e Krimeve të Rënda konfirmoi masat e sigurisë të shpallura në mungesë për pesë të arrestuar me akuzën e trafikimit të narkotikëve, shtetasit Emiliano Brahimi, me emrin e ndryshuar në Jorgo Naçi, vëllanë e tij Niko Brahimin, Saimir Shoshen, Edison Latifin dhe Agur Malaj.

Ndërkohë, shefi i sektorit kundër lëndëve narkotike për qarkun e Fierit, Dritan Zagani do të qëndrojë në paraburgim për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Zyrtari Zagani, një agjent i specializuar në fushën e anti-drogës në polcinë e Fierit, me një rrjet informatorësh për t’u pasur zili nga kolegët e tij të terrenit, është personazhi që me sa duket ka dhënë edhe efektin surprizë po aq sa edhe zhgënjyes gjatë procesit hetimor kur gjykata urdhëroi përgjimin e disa të dyshuarve që ndiqeshin e vëzhgoheshin për trafikim të kanabisit me destinacion Italinë.

Për grupin e hetimit shefi i antidrogës Zagani del në përgjimet telefonike duke komunikuar për çdo të dhënë që siguronte nga informatorët e tij në Fier e Vlore, duke ia transmetuar një shtetasi italian, i cili as më pak dhe as më shumë është po ashtu përfaqësues i organeve ligjzbatuese italiane.

Për kolegët e tij shqiptarë, fakti që informacionet që merrte për trafik droge Zagani nuk i përcillte sipas rregullores tek eprorët e tij, por tek një oficer i Guardia di Finanza, e kane kthyer ish-shefin në një shkelës të rregullores së policisë shqiptare me pasojë shpërdorimin e detyrës.

Përveç bisedave telefonike me zyrtarin italian, oficeri Zagani ka kundër vetes edhe transferta të një shpërblimi nga kontakti i tij në Itali, sapo ka përcjellë një informacion që ka sjellë bllokimin e një sasie droge në shtetin fqinj.

Prokuroria e Krimeve të Rënda thotë se komunikimi i oficerit shqiptar me oficerin italian pa një autorizim nga autoritetet shtetërore përbën shkelje të detyrës si punonjës policie, pasi ky informacion i marrë nga burimet e tij, sipas rregullores, duhej t’u përcillej eprorëve.

Top Channel