Posta Shqiptare, 101-vjetori i pullës së parë

05/05/2014 00:00

101-vjetori i emetimit të pullës së parë postare shqiptare u përkujtua me një ekspozitë të fituesve të konkursit të filatelisë “Balkanfila 2014”, ku Shqipëria u nderua me medalje të artë.

Emisioni i parë, ose pulla e parë, u realizua rreth gjashtë muaj pas shpalljes së Pavarësisë. Ajo nuk ishte e zakonshme, siç janë pullat aktualisht, por kishte formën e një vule në ngjyrë të zezë, me të cilën u shtypën gjithsej 2232 zarfa.

Më 5 Maj 1913, kjo pullë-vulë në zarfa me ngjyra të ndryshme u nxor në shitje në 11 qytete, ku funksiononin zyrat postare të ngritura gjatë pushtimit osman. Si në të gjitha shtetet e tjera, edhe në Shqipëri filatelia ka qënë pjesë e kulturës dhe e lidhur ngushtësisht me historinë.

Në 101-vjetorin e pullës së parë postare, administratori i Postës Shqiptare, Ardit Çela, vuri theksin te nevoja e një bashkëpunimi më të ngushtë me shoqatën e koleksionistëve, me qëllim përhapjen e kulturës së filatelisë edhe te brezat e ri, që akltualisht mungon.

Në këtë aktivitet u njoftua se në Maj të 2016-s, Shqipëria do të organizojë për herë të parë konkursin “BalkanFila”, që do të mbledhë koleksionistë nga i gjithë rajoni.

Top Channel