Dita e Dëshmorëve ka ngjallur një debat jo fort të heshtur në politikën shqiptare. Pas ’90, përpos tufave me lule në Varrezat Dëshmorët e Kombit, thuajse asgjë tjetër nuk është bërë nga klasa politike për të ruajtur trashëgiminë historike, për të mbajtur gjallë kujtimin e heronjve të rënë për çlirmin e atdheut në Luftën Nacional-Çlirimtare, dhe jo vetëm të atyre.

Harresës së strukturave shtetërore u shtohet edhe neglizhenca e qytetarëve, një pjesë e madhe e të cilëve identifikon këtë luftë më komunizmin, dhe jo si një luftë patriotike, ashtu sikundër ka qenë në të vërtetë.

Për të folur më shumë rreth kësaj dite të shënuar në kalendarin historik të vendit tonë, në emisionin “Shqip” në Top Channel këtë të hënë ishin të ftuar veteranë, historianë, politikanë dhe gazetarë.

Veterani Skënder Malindi dhe Afërdita Tutulani, motra e heroinës Margarita, kanë rrëfyer momente nga e jeta e tyre në kohën e luftës. Ndërsa historiani Pëllumb Xhufi dhe deputeti Luan Rama kanë folur në vija më të përgjithshme për luftën anti-fashiste.

Malindi: Si refuzova betimin për flamurin e Italisë

Skënder Malindi ndodhej në Itali në kohën kur vendi fqinj do të niste pushtimin e Shqipërisë dhe ai me shqiptarë të tjerë studionin në akademinë ushtarake të Milanos.

“Ndodhesha në Milano atë ditë dhe nga një radio franceze dëgjuam që Italia do të pushtonte Shqipërinë. U ndjemë keq se ne po mësonim atje, por dashuria për vendnlindjen ishte më e madhe”, ka treguar ai.

Duke vijuar rrëfimin e tij, veterani ka treguar gjithashtu se si fillimi i pushtimit përkoi me diplomimin e tyre, që përfundoi me refuzimin e betimit për flamurin e Italisë.

“Ne u mblodhëm në Romë më 15 maj që të bënim betimin si ushtarakë ndaj Italisë. Na pritën me të gjitha komoditetet, na shëtitën nëpër qytet dhe na informonin se nuk vinin në Shqipëri si okupatorë. Por ne jemi shqiptarë, thoshim me vete, nuk mund ta bëjmë betimin”, ka thënë Malindi.

“Kur u bë ceremonia dhe na thanë: betoheni, ne heshtëm. Ata u çuditën dhe ne u thamë se si të huaj nuk e kuptonim mirë gjuhën dhe u kërkuam të na e shpjegonin edhe njëherë. U përsërit formula, ne prapë heshtëm dhe gjenerali që ngrinte shpatën mbeti me dorën lartë”, ka vijuar ai rrëfimin.

Më vonë Malindi u kthye në Shqipëri, ku dhe luftoi në radhët e elitës së atëhershme ushtarake, duke u bërë edhe shef i shtabit.

Luan Rama: Figurat e historisë, të lëna në harresë

Ndërsa politikani Luan Rama, njohës i historisë së luftës antifashiste, ka folur për zanafillën e organizimit të rinisë shqiptare kundër pushtuesit, duke e vënë theksin tek familja Tutulani.

“Historia e familjes Tutulani i ka çuar anëtarët e saj me vetëdije në ato zgjedhje. Atyre u është imponuar të bëjnë zgjedhjen më të mirë për ta. Çfarëdo që të thuash sot për ta dhe 28 mijë dëshmorët e luftës, nuk ka fjalë për ta treguar më mirë atë realitet”, ka deklaruar Rama.

Sipas tij, brezi i të rinjve të viteve 30-40 ishin të emancipuar dhe dinin të ndanin ç’ishte patriotizmi e ç’ishte fashizmi. “Shumë studentë që ishin jashtë Shqipërisë u kthyen. Është vetëdija dhe ndjenja patriotike për t’i shërbyer atdheut në raste të tilla”, ka theksuar Rama, i cili ka shprehur keqardhjen e tij për lënien në harrësë të figurave të rëndësishme të historisë.

“Qemal Stafa ishte një figurë emblematike pasi luajti një rol shumë të rëndësishëm në luftë dhe të vjen keq që sot ndaj kësaj figure ka një neglizhencë nga shteti”, është shprehur Rama.

Xhufi: Rinia i dha jetë luftës antifashiste

Me fjalë të ngjashme historiani Pëllumb Xhufi ka përshkruar nisjen e lëvizjes antifashiste, që lindi nga organizimi i rinisë shqiptare, një brez ky i arsimuar dhe me ndjenjë të theksuar patriotike.

“Ishte një mision qytetar që ishte dhe filllimi i LANÇ. Ishin këta të rinj që vinin nga familje të njohura për patriotizëm. Lëvizja anti-fashiste i kishte vatrat në gjimnaze. Nga forcat e tjera nuk kishte shembuj. Legaliteti dhe Balli nuk kishin formacione luftarake. Ndërsa këto formacione luftuan dhe krijuan respekt”, ka thënë Xhufi.

Sikurse parafolësi, edhe historiani i njohur më tej e ka vënë theksin tek neglizhenca e shtetit shqiptar ndaj figurave historike, që për ironi na i kujtojnë historianët e huaj.

“Kishte njerëz të mëdhenj si Qemal Stafa, Perlat Rexhepi, etj. Ne shqiptarët nuk i kujtojmë figurat, por shyqyr që na i kujtojnë të huajt”, ka thënë Xhufi.

“Anglezët thonë se kjo luftë kapërceu kufijtë dhe bashkoi të krishterët me myslimanët. Kur ngrihej jugu nuk ngrihej veriu dhe anasjelltas. Ndërsa këtë radhë u ngrit gjithë rinia, që më pas tërhoqi edhe pjesët e tjera të shoqërisë”, ka shtuar ai.

Tutulani: Familja ime, patriotike brez pas brezi

Ndërsa Afërdita Tutulani ka treguar për formimin intelektual të familjes së saj dhe ndjenjën patriotike që u transmetua brez pas brezi.

“Gjyshi im ishte me arsim të lartë. Ishte një nga firmëtarët e pavarësisë dhe na thoshte të gjithëve: betohuni. Ai i futi familjes sonë ndjenjën e patriotizmit. Kështu që këtë ndjenjë e transmetuam brez pas brezi”, ka thënë Tutulani.

Ajo ka treguar edhe se si ka përjetuar ditët e pushtimit që prekën në mënyrë direkte familjen e saj, në një kohë kur ajo ishte fare e re.

“Fillimisht arrestuan mamanë. Unë i çoja ushqimin. Kur shkova ditën e dytë mësova se e kishin torturuar. Fillova të qaja”, ka treguar motra e heroinës.

Pjesa e dytë e Shqipit të kësaj jave kushtuar Dëshmorëve të Kombit nisi me një intervistë me akademikun dhe historianin Kristo Frashëri.

***

Intervista e plotë

Dita e Dëshmorëve është dita kur popujt përkujtojnë më përkushtim të gjithë ata djem dhe vajza, burra ose gra, përfshirë edhe pleq dhe plaka, të cilët kanë dhënë jetën për mbrojtjen e atdheut në luftë kundër okupatorëve të huaj. Këta janë dëshmorë!

Dëshmorët në historinë e çdo vendi qëndrojnë krah për krah me mendjet e ndritura që e kanë ndihmuar vendin të ecë përpara. Tema e Dëshmorëve të Atdheut ka qenë temë bisedash nëpër vatrat familjare, ku u tregonin historitë e njerëzve që kanë qenë të shquar në luftën për atdheun. E keqja e historisë së kaluar është se këta nuk kanë hyrë në letërsinë e shkruar. Në popujt që nuk e kanë zhvilluar letërsinë e shkruar, këto histori transmetoheshin gojë më gojë dhe nga kjo pikëpamje vlera e heronjve ka qenë e përkohshme sepse dëshmorët e një brezi të ri shtynin në harresë dëshmorët e brezave të mëparshëm.

Pas Luftës së Dytë Botërore erdhi një etapë më e re dhe më e frytshme sepse për të parën herë shteti shqiptar krijoi Varrezat e Dëshmorëve pra, i grumbulloi të gjithë dëshmorët e luftës në një parcelë të veçantë e cila u quajt Varrezat e Dëshmorëve dhe aty nderoheshin me përkushtim të gjithë ata që kishin dhënë jetën për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Në këto varreza bëhej dallimi midis atyre që ishin cilësuar si heronj dhe atyre që ishin dëshmorë të thjeshtë. Mirëpo në këto varreza u bënë edhe abuzime. E para sepse nuk u përfshinë dëshmorët që kishin dhënë jetën para Luftës Nacional-Çlirimtare, u lanë jashtë. Kujdesi i regjimit komunist ka qenë vetëm për të përjetësuar kujtimin e dëshmorëve të luftës Nacional-Çlirimtare.

Pas viteve ’90 u bënë disa korigjime. Ata që nuk i përgjigjeshin përkufizimit të dëshmorit u nxorën nga Varrezat e Dëshmorëve dhe u çuan në varrezat qytetarëve. Megjithatë, ka ende njerëz që mendojnë se aty ka vend edhe për dëshmorë që nuk i përkasin Luftës Nacional-Çlirimtare. Unë jam shumë dakord që në këto varreza të përfshihen edhe ata luftëtarë të Ballit Kombëtar të cilët kanë dhënë jetën në luftën kundër okupatorit italian dhe gjerman. Por me një kusht, që këta dëshmorë të mos justifikohen vetëm me faktin se kanë qenë në luftë, pjesëmarrës në luftë civile sepse lufta civile nuk justifikon që ti të jesh Dëshmor i Atdheut. Në qoftë se partizanët janë vrarë në luftë me Ballin Kombëtar, janë vrarë në luftë kur Balli ka qenë bashkëpunëtor me gjermanët pra, kur i ka shërbyer okupatorit gjerman. Kjo është luftë patriotike.

Luftën Nacional-Çlirimtare e udhëhoqi Enver Hoxha, nuk kam pse ta mohoj. Duam s’duam ne. Unë nuk e kam dashur Enver Hoxhën, por unë nuk mund t’ia mohoj rolin në Luftën Nacional-Çlirimtare. Ai e mori përsipër drejtimin e luftës dhe deri me 29 Nëntor e çoi Shqipërinë në Konferencën e Paqes si një shtet të lirë. Pastaj, në kthimi këtu Enver Hoxha filloi të largohej nga parimet që premtoi në fillim.

***

Për Sekretarin e Përgjithshëm të LSI-së, Luan Rama Lufta Nacional-Çlirimtare e është epoka më e lavdishme e kombit shqiptar, që nga periudha e Skënderbeut. Ai kërkoi që politika dhe historianët të respektojnë këto figura.

“E shkuara, historia e Luftës Nacional-Çlirimtare ka vlerat e veta ashtu sic ka edhe mangësi. Unë kam qenë ndër themeluesit e Partisë Socialiste dhe në vitet ‘90 është bërë një debat i madh se ç’qendrim do të mbajë PS ndaj Dëshmorëve dhe ka dalë me një qëndrim njëzëri që lufta dhe të rënët janë pjesë e trashëgimisë së PS. Ndryshe nga PS, LSI, që nga fillimi i saj ka qenë konstante në qëndrimin e vet. Lufta Nacional-Çlirimtare ka qenë epopeja me e lavdishme e shkruar nga gjaku i dëshmorëve, pas kohës Skënderbeut. Këmbëngul që e majta duhet të bëjë pronë të veten të gjithë politikanët e majtë që udhëhoqën luftën dhe më pas u përndoqën nga Partia e Punës. Janë një sërë figurash që i persekutoi regjimi, që pas viteve ‘90 vijnë mbetën jetimë sepse Partia e Punës i dënoi, PS s’i mori dhe PD ishte në krahun tjetër, me ballistët dhe zogistët. Sot disa historianë kërkojnë të rishihen disa figura, por kjo është një rivrasje dhe tallje me gjakun e Dëshmorëve të Luftës”, tha Rama.

Pjesës së tretë të “Shqip” iu bashkua gazetari Marin Mema që shprehu shqetësimin për ruajtjen e figurave kombëtare, që nga monumentet, banesat e deri tek varret e heronjëve, që janë shkatërruar në këto 24 vite dhe askush nuk ka vënë dorë mbi to për t’i riparuar.

“Është e turpëshme që në këtë 5 Maj monumenti i  Heronjëve të Vigut ndodhet në plehra. Po kështu ai i Pashko Vasës, i shkruajtur keq, Pashko Vaso. Po ashtu edhe banesa e Vasil Laçit e shkatërruar”, tha ai.

Historiani Pëllumb Xhufi deklaroi se ka një rrymë që po kthen vesin në vlera dhe vlera po bie në ves. Sipas tij, ka një inkurajim për të ngritur përmendore të shqiptarëve që i kanë duart me gjak shqiptari dhe për përcarjen krahinore.

“Këtu vesi po ngrihet në vlerë dhe vlera po shndërrohet në ves. Në Peshkopi është ngritur monumenti i Halil Alisë, i cili në Vlorë ka vrarë vetëm shqiptarë. Ishte bashkëpunëtor i gjermanëve. Ky njeri që i ka duart vetëm me gjak shqiptari, nuk ka vrarë asnjë gjerman, asnjë italian, asnjë serb, por vetëm shqiptarë. Këta po ngrihen tani. Ndarja krahinore është inkurajuar”, tha Xhufi.

Gazetari Mema u ndal tek Masakra e Borovës. 107 burra, gra, pleq e fëmijë u masakruan nga trupat gjermane në vitin 1943. Sipas Memës ky rast tregon më së miri se si u prit pushtuesi gjerman në Shqipëri. Ai tha se ka një mungesë respekti ndaj dëshmorëve, një mospërfillje, jo vetëm nga strukturat shtetërore, por edhe nga vetë njerëzit.

“Ne sillemi me ta si të kemi mbirë. Sikur s’kemi histori. Sikur kemi mbirë nga dheu”, tha ai.

Luan Rama shtoi: Lufta Nacional-Çlirimtare ishte luftë patriotike, ishte meritë e komunistëve që u vunë në ballë të kësaj lufte.

Pëllumb Xhufi mbylli fjalën e tij duke thënë: Është një përpjekje disa-vjecare e klasës politike për të identifikuar Luftën Nacional-Çlirimtare me komunizmin.

Top Channel