“Llalla të godasë korrupsionin”

02/05/2014 00:00

Uashingtoni është i shqetësuar për polarizimin e thellë të politikës shqiptare. Këtë shqetësim e përcolli Drejtori i Zyrës për Europën Qendrore dhe Jug-Lindore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore.

Në një intervistë dhënë për Zërin e Amerikës, diplomati i lartë amerikan tha se konfliktet institucionale duhen zgjidhur ligjërisht, dhe jo politikisht, duke iu referuar këtu përplasjes Presidencë-mazhorancë për cështjen e kompetencave, ndërsa vlerësoi edhe punën e qeverisë së re dhe reformat e ndërmarra prej saj për marrjen e statusit të vendit kandidat në qershor.

“Kanë kaluar vetëm 8 muaj dhe qeveria po punon intensivisht për një sërë përparësish siç është edhe ai i marrjes së statusit të vendit kandidat në BE. Qeveria ka qënë e efektshme në këtë drejtim dhe ky është një synim edhe i opozitës. Siç ka ndodhur edhe në shumë vende, ka patur pikëpyetje për disa prej vendimeve të fazave të para të qeverisjes, në se ato janë marrë për arësye partiake, apo në kuadër të një strategjie më afatgjatë. Por deri tani qeveria ka punuar shumë intensivisht për ta çuar Shqipërinë drejt integrimrit europian”, tha Moore.

Sa për konfliktin presidencë-mazhorancë dhe polarizimin e thellë të politikës…

“Ne jemi të shqetësuar. Jemi të ndërgjegjshëm për polarizimin e situatës në shoqëri, në politikë dhe në shtyp. Por ne kemi besim në aftësinë e popullit shqiptar për të dalluar faktet e vërteta nga ato që i servir politika ose shtypi. Ne duam të shohim përgjegjësi si nga ana e qeverisë, ashtu edhe nga ana e opozitës, të gjejnë fusha ku mund të bashkëpunojnë,

Pikëpamja jonë është që ne duam të shohim që institucionet të funksionojnë normalisht, që populli t’u besojë atyre dhe punës që ato bëjnë. Për disa prej çështjeve që presidenti ka ngritur ai po përdor mekanizmat e duhur ligjorë, duke iu drejtuar gjykatës kushtetuese, siç ishte rasti i shkarkimit të zonjës Xhuka, kryetares së Inspektoratit të Kontrollit të Pasurive. Ky është një hap shumë praktik. Në shumë vende, jo vetëm në Shqipëri, ka situata të ngjashme mosmarrëveshjesh për autoritetin e qeverisë, të kreut të shtetit apo të parlamentit. Ky është moment i rëndësishëm si për presidentin edhe për kryeministrin dhe rezultatet e punës së tyre do të tregojnë se sa e suksesshme është demokracia shqiptare. Presidenti përfaqëson gjithë vendin, kryeministri ka përgjegjësi për të gjithë vendin, kjo duhet të jetë temë debati publik dhe në se ka mosmarrëveshje ato duhen zgjidhur në mënyrë ligjore dhe jo politike”, tha Moore.

Korrupsioni mbetet një problem dhe autoritetet përkatëse duhet të përballen me të. Por për Uashingtonin, qeverisë së re i duhet dhënë më shumë kohë.    

“ Ata janë në pushtet për vetëm 8 muaj. Një nga elementët kryesorë të luftës kundër korrupsionit është goditja e tij me sukses, jo vetëm me fjalë. Për këtë duhet të përdoret Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla. Nëse ka fakte ndaj zyrtarëve në qeveri apo në nivel lokal, ose ndaj gjykatësve, ato duhet të hetohen dhe t’i kalojnë rrugëve ligjore, prokurorisë dhe të mos bëhen përmes të ashtuquajturit “gjyq publik”, përmes shtypit, apo përmes politikanëve që akuzojnë paraardhësit e tyre. Këto raste duhet të zgjidhen përmes sistemit të drejtësisë”, deklaroi diplomati i lartë amerikan.  

Top Channel