Lëvizjet në Policinë e Shtetit

30/04/2014 00:00

Komisioni hetimor për shkarkimet dhe emërimet në polici do të nxjerrë raportin më datë 7 maj. Por në mbledhjen e radhës ka patur debate të ashpra lidhur me kërkesën e një raporti të SHKB-së të 2004-s, të cilin opozita ka kërkuar ta përfshijë në hetim.

“Zotërinjtë kanë fituar vendimet e gjyqit një për një. Asnjë nga ato pretendime nuk është bërë shkak për të filluar një hetim. Atëherë për çfarë do t’i sillni në komision? Materiali është një mbledhje opinionesh e urdhëruar nga një ish-ministër i PS që ka qenë trafikant vizash”, deklaroi deputeti i PS, Pjerin Ndreu.

“Neni 13 pika 4 thotë: kërkesa për hetim nga çdo anëtar i komisionit pranohet nga komisioni pa votim. Pra, nuk ka nevojë që ta hedhim në votim e të diskutojmë me metoda të tipit ‘jemi mazhorancë dhe nuk ju lëmë të hetoni’, siç tha parafolësi”, deklaroi nga radhët e opozitës deputeti Eduard Halimi.

Kreu i këtij komisioni për këtë çështje tha se ia ka dërguar kërkesën Ministrisë së Brendshme. Pas 60 minutash debat, mbledhja u mbyll me kërkesën e nënkryetarit Balla për përfundimin e hetimeve. Afati i komisionit është shtyrë deri më datë 13 maj.

“Hidhni në votim kërkesën tonë për vendim të ndërmjetëm për përfundimin e hetimeve, në mënyrë që kryetari të marrë kohën e duhur për raportin përfundimtar. Ligji ka hapësirën për mendimin e pakicës dhe dokuementet përfshijini në mendimin e pakicës”, deklaroi Balla.

Top Channel