Arvizu: Akuzat ndaj Ushtrisë, të ulëta

30/04/2014 00:00

Për herë të parë, ambasadori Aleksandër Arvizu në një prononcim për Top
Channel, jep pikëpamjet e Shteteve të Bashkuara për debatin më të nxehtë
në vend, atë, për akuzat e ngritura nga opozita për trafik droge nga
Forcat e Armatosura.

Fillimisht, Arvizu i jep përgjigje pyetjes nëse tani pas të tilla akuzash a është dëmtuar imazhi Forcave të Armatosura.

“Nuk e di nëse kjo histori tashmë është e mbyllur. Unë mendoj se pas disa ditësh kjo çështje ka mbërritur atje ku i takon. Pretendimet ishin shume serioze dhe fatkeqësisht ato u politizuan, prandaj them se të tilla pretendime kanë mbërritur atje ku duhet, në duart e duhura të autoriteteve të hetimit. Nëse ka patur ndonjë ngjarje me karakter kriminal brenda saj, atëherë kjo duhet të hetohet. Duke parë situatën mes maxhorancës dhe opozitës këto ditë, ajo që të vjen keq, është se një parti ndoshta mendon se duke bërë të tilla akuza, pala tjetër njolloset duke u bërë pis”, thotë ambasadori.

Pavarësisht faktit se të tilla akuza janë produkt i një beteje politike të nisur nga opozita, Aleksandër Arvizu mendon se populli shqiptar është i aftë të kuptojë qëllimin e tyre.

“Ata duhet të tregohen të kujdesshëm si e bëjnë këtë sepse njerëzit nuk janë budallenj. Njerëzit e kuptojnë se cilat janë motivet, aq më tepër, kur mundohesh që në këtë çështje përfshish tërësisht Ushtrinë apo të gjithë Policinë. E sidomos, një organizatë të tillë siç është Ushtria për të shënuar apo marrë pikë politike për qëllime politike. Kjo është pak a shumë diçka e ulët. Njerëzit nuk e pëlqejnë diçka të tillë. Kam folur me shumë njerëz dhe ende nuk kam takuar ndonjë që të më thotë se i pëlqen kjo. Tek e fundit më së shumti e gjitha kjo zhurmë e prodhuar dëmton atë parti që bën akuzat, përveç rastit kur ka një bazë të shëndoshë dhe solide ose në të kundërtën ka baza për ta bërë një dicka të tillë”, thotë Arvizu.

A mund të ndërtojë një parti politike kauzën e saj bazuar në informacione të paprovuara?  Kjo është përgjigja e ambasadorit Arvizu: “Ky është një aspekt për të ardhur keq në politikë, si në Shqipëri, po ashtu edhe në SHBA ditët e sotme. Kjo ndodh sepse kemi 24 orë lajme, të cilat qarkullojnë përfshi këtu edhe median sociale. Ajo që ndodh është kjo: Bëj një akuzë tërësisht të pabazë, të cilën më pas e zbukuron ose e zbeh, duke deklaruar që ajo që thanë nuk ishte totalisht korrekte. Por u e ke thënë mijëra dhe mijëra njerëz e besojnë dhe më pas lëshohen sqarime apo dalin në dritë prova, që ajo ishte tërëisht e fabrikuar që në fillim por informacioni tashmë ndodhet i përhapur. Ne e shohim këtë së shumti në SHBA sidomos gjatë fushatave elektorale ku në cdo ditë fushata elektorale prodhon një rreth vicioz”.

Por si e shikon Aleksandër Arvizu funksionimin e Parlamentit Shqiptar, i cili çdo të enjte kthehet në një fushë-betejë jashtë çdo etike parlamentare?

“Ndryshe nga SHBA, fatkeqësisht këtë në Shqipëri e shikojmë çdo javë. Ne sinqerisht cdo të enjte shohim. Për mua e enjtja është dita ime më pak e preferuar në Shqipëri, por përpiqem të mos shoh televizion sepse pasi është shumë depresionuese. Eshtë dicka që mund ta përshkruaj si ‘show’ jonormal dhe nuk të bëjë fare me shqetësimet që kanë qytetarët e thjeshtë shqiptarë”, u shpreh Arvizu.

Top Channel