PD: Emërohet mësues, i dënuari për ryshfet

29/04/2014 00:00

Partia Demokratike ka vijuar edhe këtë të martë denoncimin e emërimeve
në administratë të personave që kanë probleme me drejtësinë.

Përmes një deklarate për mediat nga selia blu zëdhënësja e kësaj partie Laura Vorpsi ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se përkundër fjalëve të bukura për arsimin, emëron mësues një person i cili është dënuar me dy vjet burg për marrje ryshfeti.

“Në gjimnazin ‘Naim Frashëri’ në Fier, rilindja e arsimit të Edi Ramës, ka emëruar mësues gjuhe Enertin Dheskalin, të dënuar nga gjykata e Vlorës me dy vite burg për korrupsion. Dheskali, kur ishte pedagog në Universitetin e Vlorës, merrte para në këmbim të notës në provime. 70 mijë lekë për notë kaluese, 100 mijë lekë për notë të mirë. Policia dhe prokuroria zbuluan mekanizmin dhe e arrestuan Dheskalin. Gjykata e rrethit e dënoi me dy vite burgim dhe 600 mijë lekë gjobë, ne vitin 2009. Një vit më pas, Gjykata e Apelit të Vlorës, e la në fuqi të njëjtin vendim, duke i dhënë dënimit formë të prerë. Kjo pra është e vërteta e arsimit të Edi Ramës. Fjalë të bukura nëpër sallone, ndërsa në terren kthim mbrapa në ditët më të vështira për shkollat tona”, tha Vorpsi.

Top Channel