Siria, juristët apel OKB-së për ndihmat

28/04/2014 00:00

Kombet e Bashkuara duhet t’i shpërndajnë ndihmat në Siri me apo pa konsensusin e qeverisë, deklaroi një grup avokatësh dhe akademikësh të njohur në një letër të hapur.

Letra, e firmosur nga 35 ekspertë ligjorë, thotë se leja për shpërndarjen e ndihmave në zonat me popullsitë në nevojë po mbahet peng arbitrarisht.

Një rezolutë e miratuar nga OKB në muajin shkurt u bënte thirrje të gjitha palëve të përfshira në konflikt që të lejonin shpërndarjen e ndihmave humanitare pa kufizime.

Mbi 150 mijë persona llogaritet të kenë vdekur në klnfliktin civil që zgjat prej tre vitesh. Ditën e martë të paktën 12 persona janë vrarë në një sulm me goditje mortaje ndaj institutit teknik të Damaskut, raportojnë mediat e huaja.

Gjithësej janë qëlluar katër të shtëna mortajash, të cilat kanë rënë në lagjen shiite Shaghour të kryeqytetit, ku si pasojë janë plagosur rreth 50 persona të tjerë.

Forcat e presidentit Assad po përpiqen të dëbojnë rebelët nga bastionet e tyre në kryeqytet, por banorët thonë se ata janë përgjigjur duke shtuar numrin e sulmeve me raketa e mortaja.

Mes firmëtarëve të letrës është edhe juristi Richard Goldstone, që ka qenë kryeprokuror në gjykatën e OKB-së për krimet në Ruanda dhe në ish-Jugosllavi.

Letra është publikuar në gazeta të ndryshme arabe dhe britanike ditën e martë. Përmes saj i bëhet thirrje OKB-së që të injorojë kufizimet arbitrare të regjimit të Bashar al Assad dhe të hyjë në Siri.

Në të thuhet gjithashtu se, Kombet e Bashkuara po tregohen të kujdesshme “më shumë se ç’duhet” në interpretimin e ligjit ndërkombëtar humanitar, duke pritur që qeveria siriane të japë konsensusin për shpërndarjen e ndihmave.

Jared Genser, një nga ekspertët ligjorë që nënshkroi letrën, tha për BBC se shpërndarja e ndihmave nga OKB brenda vendit nuk po bëhej në mënyrë të drejtë.

“Ajo që më shqetëson mua është se rreth 80 apo 85 për qind e ndihmave që sigurohen nga OKB po shkojnë në zonat e kontrolluara nga Assad. Ndërsa një përqindje fare e vogël, 15 ose 20%, po shkon në zonat e kontrolluara nga rebelët”, tha Genser.

“Ajo që kemi aktualisht në Siri është një situatë ku miliona njerëzve po u mohohet aksesi tek ndihmat humanitare për shkak të politikave arbitrare”, shtoi eksperti ligjor.

Top Channel