Për shumëkënd shtërngimi i duarve mes ministres Kodheli dhe drejtorit të SHISH Visho Ajazi Lika, shoqëruar me buzëqeshjen e ambasadorit Arvizu, mund të shihet si një moment pajtimi mes tyre.

Githçka ka ndodhur mëngjesin e së hënës në ambjentet e Ministrisë së Mbrojtjes gjatë seminarit “Inteligjenca dhe Demokracia”, pa praninë e medias. Por zyra e marrëdhënieve me median në Ministrinë e Mbrojtjes u kujdes që momenti i shtërngimit të duarve të mos kalonte pa u fiksuar.

Në foto, e cila duket se i ka dhënë fund jo edhe aq marrëdhënies së trazuar të mazhorancës me kreun e shërbimit, se sa një historie që kishte nisur të kthehej në një patate të nxehtë për qeverinë e qendrës së majtë, ndoshta ka një personazh mangut: presidentin e Republikës, i cili me apo pa dashje është bërë protagonist në historinë e drogës me avionë dhe ushtrisë.

Çfarë ka ndodhur realisht në 48 orët e fundit në trekëndëshin Ministri e Mbrojtjes-Presidencë-Ambasadë Amerikane, që me sa duket do të prodhonte edhe deklaratën e SHISH të shtunën dhe shtrëngimin e duarve Kodheli-Ajazi të hënën? Cili ka qenë roli i Shteteve të Bashkuara dhe i ambasadorit Arvizu?

Shkresa e Visho Ajazit drejtuar Kodhelit dhe publikuar në media provokoi një valë të papreçedentë akuzash ndaj ushtrisë shqiptare në 23 vitet e fundit.

Kur debati i iniciuar nga opozita sa vinte dhe shtohej, Arvizu dha sinjalin e parë mbështetës për Forcat e Armatosura kur deklaroi nga një konferencë më 15 prill se, “Shtetet e Bashkuara përshëndesin reformat e nisura nga Ministria e Mbrojtjes, duke nxitur zbatimin e Rishikimit të Strategjisë së Mbrojtjes”.

Por axhenda diplomatike e Alexander Arvizu nuk është frenuar këtu. Pak ditë më parë, teksa akuzat nuk po ndaleshin, pa shumë zhurmë ai do të ngjiste shkallët e Presidencës për t’u takuar me Bujar Nishanin, komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura, njëherësh edhe komandant i Visho Ajazit.

Deri në ato momente Nishani, shef me Kushtetutë edhe i SHISH-it edhe i ushtrisë, ka qëndruar në rolin e spektatorit, duke deklaruar madje se informacionet për drogë nuk i ka marrë as nga shërbimi as nga ushtria, por nga opozita dhe mediat.

Paçka se nuk ka asnjë deklaratë në lidhje me takimin Arvizu-Nishani, burime diplomatike sugjerojnë se ambasadori amerikan i ka kërkuar Nishanit të ushtrojë të gjitha kompetencat e tij në dhënien fund të sulmeve ndaj ushtrisë. 24 orë më vonë në faqen e Shërbimit Informativ do të shfaqej një deklaratë për shtyp, që do të rrëzonte nga qielli drogën dhe avionin.

Në dy vjet, SHISH ka bërë gjithësej shtatë publikime në faqe, e para është dekreti i Nishanit për emërimin e Visho Ajazit, dy janë ankande, një është për një ceremoni nderimi dhe vetëm dy deklarata për median.

Njëra në shtator kur, akuzohej Visho Ajazi dhe tjetra dy ditë më parë, kur Ajazi akuzonte të tjerët. Sot në foto u fiksua buzëqeshja e Kodhelit përballë Ajazit dhe Arvizut. Ajo që nuk dihet ende është fati i mëtejshëm i Visho Ajazi Likës.

Top Channel