PD: Emërime nepotike në shëndetësi

27/04/2014 00:00

Partia Demokratike denoncoi sot ato që i cilësoi ‘emërime nepotike në shëndetësi’, ndërsa akuzoi kryeministrin Rama se mes tyre ka edhe mjekë të akuzuar më parë për abuzime që janë vendosur në drejtim të institucioneve.

Në një deklaratë për mediat zëdhënësja e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi  tha se Drejtori i Shëndetit Publik të rrethit Tropojë, Kongres Imeraj, vetëm 2 ditë pasi ka marrë detyrën ka emëruar mjeke familjeje gruan e tij.

“Çmimi i ilaçeve po rritet, dhe Ministri shkel ligjin, ndërhyn në tender për interesa klienteliste duke hequr edhe sigurinë e medikamenteve. Nepotizmi në shëndetësinë e Tropojës ka njohur raste të padëgjuara kurrë më parë. Drejtori i shëndetit publik të këtij rrethi, Kongres Imeraj i caktuar nga ‘Rilindja’, vetëm 2 ditë pasi ka marrë detyrën ka emëruar mjeke familjeje gruan e tij. Drejtori emëroi më pas bashkëshorten e tij shefe të higjienës në Rrethin e Tropojës. Pak vite më parë ‘Fiks Fare’ zbuloi rastin e një mjeku në Krujë, i cili i dërgonte pacientët për të bërë analizat në klinikën e tij private që drejtohej nga bashkëshortja. Mjeku Durim Herri u akuzua për shpërdorim detyre, duke u pezulluar për 9 muaj, si një masë administrative. Sot ky mjek është bërë drejtori i spitalit të Krujës”, tha Laura Vorpsi.

Top Channel