K. e Veriut: Ushtri të fortë për të mposhtur SHBA

27/04/2014 00:00

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, nxiti ushtrinë të zhvillohet më tej për të siguruar fitoren e saj përkundrejt çdo përballjeje me Shtetet e Bashkuara, ka bërë të ditur agjencia e lajmeve të vendit të izoluar, ditën e diel, vetëm 1 ditë pasi presidenti amerikan paralajmëroi Veriun për fuqinë ushtarake të vendit të tij.

Kim kryesoi një takim të Komisionit Qendror Ushtarak dhe “vendosi 4 detyra të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të Ushtrisë Popullore Koreane, si dhe rrugët për t’i përmbushur ato”, bëri të ditur agjencia e lajmeve KCNA.

“Ai theksoi nevojën për të rritur funksionin dhe rolin e organeve politike të ushtrisë, nëse kjo do të dojë të ruajë historinë dhe traditën e lavdishme të të qenit ushtria e partisë, nëse kërkon të fitojë betejat njëra pas tjetrës përballë SHBA-ve dhe për të performuar me besueshmëri misionet e saj si një forcë shokuese dhe flamurtare në ndërtimin e një kombi të lulëzuar”.

Obama, të shtunën gjatë një vizite në Seul, ku ushtria amerikane ka një prezencë të theksuar, tha se Shtetet e Bashkuara nuk përdorin fuqinë e ushtrisë së tyre për “t’u imponuar” gjëra të tjerëve, por mund ta përdorë forcën, nëse do të jetë e nevojshme për të mbrojtur Korenë e Jugut nga ndonjë sulm i Veriut të izoluar.

Koretë e Veriut dhe të Jugut janë teknikisht në gjendje lufte, pasi konflikti civil i tyre gjatë viteve 1950-53 përfundoi me një armëpushim dhe jo paqe.

Veriu i rrënuar, i cili kërcënon vazhdimisht Shtetet e Bashkuara dhe Jugun me shkatërrim, paralajmëroi muajin e kaluar se nuk e përjashton “një formë të re” të testimeve bërthamore, pasi Këshilli i Sigurisë në OKB dënoi Penianin për lëshimin e raketave balistike me rreze të mesme veprimi në det, në lindje të gadishullit korean.

Edhe pse është subjekt i sanksioneve të OKB-së, Korea e Veriut ka zhvilluar 3 teste bërthamore në të kaluarën. Të dhënat e fundit satelitore tregojnë rritje të aktivitetit në vendin e testimeve bërthamore në Korenë e Veriut, megjithatë ekspertët po analizojnë të dhënat dhe thonë se përgatitjet nuk kanë avancuar deri në atë pikë sa të kryhet një tjetër test bërthamor.

Top Channel