Përse Berisha shantazhon me destabilitet

26/04/2014 00:00

ANDREA STEFANI – U bënë disa ditë që Sali Berisha herë me gojën e tij
dhe herë me gojën e zëdhënësit të tij, Lulzim Basha, po shantazhojnë jo
vetëm qeverinë “Rama”, por edhe ndërkombëtarët me destabilizim të
Shqipërisë.

Fjalori i tyre është përshkallëzuar dhe forcuar edhe me termat “rebelim” apo “revoltë” që na çojnë prapa në shtator të vitit 1998, kur fanatikë të Berishës u turrën me kallashë, bazuka e tanke mbi Kryeministri e Televizionin Publik dhe i pushtuan ato. Nuk ka asgjë të re dhe as të papritur në gjithë këtë që po ndodh. Që kur Berisha ra nga pushteti ca muaj më parë, kemi paralajmëruar se do të ndodhë kështu. Po përse historia përsëritet? Një nga arsyet e kësaj situate pa arsye është fakti që Berisha është aty, në krye të opozitës. Dhe ai nuk ka mjeshtëri tjetër përveç autokratizmit kur është në pushtet dhe destruktivizmit të dhunshëm kur është në opozitë. Ka vrarë si Janukoviçi sa ishte në pushtet dhe tani bërtet se do të rrëzojë “Janukoviçët”! Një vrasës që bërtet kapeni vrasësin?!

***

Berisha ka një besim shumë të madh në efektshmërinë e shantazhit. Edhe pse në përvojën e tij në këta 23 vjet, shantazhi i ka rezultuar dobiprurës. Kur në vitin 1997 humbi pushtetin, Berisha u gjend përballë rrezikut të ndëshkimit ligjor për korrupsionin e qeverisjes, si edhe për krimet e vitit ’97. Atëherë u alarmua shumë nga arrestimi i 6 prej figurave të PD, që kishin pasur rol të spikatur në trazirat që, edhe pse nuk precipituan në një luftë civile, e rrënuan fare shtetin. Prandaj thirri në skenën politike destabilitetin. Organizoi protesta pas protestash, duke u dhënë mesazhin edhe ndërkombëtarëve se po të prekej ai vetë, do të kishte destabilitet. Një proces që u finalizua me grushtin e shtetit të 14 shtatorit.

***

Edhe sot po bën të njëjtën gjë. Madje këtë herë po e parathotë me gojën e tij destabilitetin. Në shtator ’98 e gjeti alibinë për të përmbysur me dhunë qeverinë Nano te vrasja e deputetit Azem Hajdari. Prandaj gënjeu dhe akuzoi ish-kryeministrin Fatos Nano për vrasjen. Vite më vonë, kur ia desh edhe nevoja politike, pranoi se një gjë e tillë nuk kish qenë fare e vërtetë. Vrasja e Hajdarit u përdor si pretekst i rremë për të përmbysur qeverinë. Sot ka shumë zëra që akuzojnë vetë Berishën për vrasjen e shokut të tij. Do të duhet kohë që të sqarohet ky mister. Por, një gjë është e qartë që sot. I vetmi politikan që përfitoi politikisht nga vrasja e Hajdarit ishte Sali Berisha. Sot po kërkon alibi për revoltë te kapja e institucioneve “të pavarura” pikërisht ky autokrat që nuk la institucion pa e futur nën vartësinë e tij! Ujku bërtet se po ia hanë mëlçitë që i mban ende në qafën dhe dhëmbët e tij.

***

14 shtatori ishte një grusht shteti i dështuar tamam si puçi i Hitlerit në Mynih. Megjithatë, Berisha pati përfitime politike prej tij. Nuk arriti ta marrë pushtetin më 14 shtator, por ama, arriti të kallë në mendjen e disa ndërkombëtarëve bindjen se po u prek Sali Berisha nga drejtësia për krimet dhe korrupsionin që mbështjellin karrierën e tij, atëherë vështirë që Shqipëria t’i shpëtonte destabilizimit. Dhe ndërkombëtarët zgjodhën të bëjnë atë që qe më e lehtë për ta dhe jo atë që ishte e duhura për Shqipërinë, drejtësinë dhe lirinë e saj. Një praktikë në diplomacinë perëndimore që u kritikua pak ditë më parë edhe nga ish-kryeministri britanik Toni Bler. Është fakt madje se ndërkombëtarët kanë ndërhyrë pranë qeverive të majta që “të mos preket Berisha” se mund të ketë destabilitet. Çfarë investimi për drejtësinë e pavarur!

***

Pra, stabilitet me çdo kusht, edhe në kurriz të drejtësisë, edhe në kurriz të shtetit ligjor, edhe me koston e krimeve, korrupsioneve dhe skandaleve të pandëshkuara. Nuk është një rastësi që masakra e 21 janarit apo krimi korruptiv i Gërdecit, megavjedhja e rrugës Durrës-Kukës mbeten ende të pandëshkuara. Sepse kryekoka e këtyre krimeve dhe korrupsioneve është Berisha. Dhe po u ndëshkua Berisha mund të ketë destabilitet. Shantazhi i Berishës vazhdon të funksionojë në favor të Berishës.

***

Por a është e vërtetë se po nuk u prek Berisha, stabiliteti është i garantuar? Zhvillimet e sotme provojnë të kundërtën. Si një politikan me një listë të gjatë krimesh dhe korrupsionesh në karrierën e tij, Berisha ndihet i qetë vetëm në kolltukun e autokratit që komandon të gjitha institucionet pra, edhe drejtësinë. Vetëm me pushtetin e drejtësisë nën thonjtë e vet, ai mund të flejë i qetë. Berisha është i trembur që mazhoranca e sotme sapo ka nisur t’ia nxjerrë nga thonjtë pushtetet dhe institucionet e kapura në 8 vite qeverisje. Prandaj jep alarmin për kapjen e institucioneve “të pavarura”. Por kur shikon se ndërkombëtarët nuk po e vënë në zjarr ujin për thirrjet e tij, vendos t’i shantazhojë edhe me destabilitet. Ka shumë shpresë te formula e vjetër. Tenton të vrasë disa zogj njëherësh: Edhe të pengojë marrjen e statusit të kandidatit, edhe të mbrojë veten nga antikorrupsioni, edhe të galvanizojë fanatikë, edhe t’u fusë frikën qeverisë dhe ndërkombëtarëve. Ndaj i thotë Lulzim Bashës të bërtasë për protesta, pastaj për rebelim dhe më në fund edhe për revoltë të “popullit shqiptar” kundër oligarkëve që kapin institucionet. Çfarë estrade historike: Autokrati në mbrojtje të institucioneve! Është një kreshendo shantazhiste që shpreh frikë, dëshpërim dhe që sot, më shumë se kurrë më parë, ka pak shanse të ketë sukses. Pse? Sepse shumica e shqiptarëve pas tragjedive që kanë kaluar me Berishën, e kanë kuptuar se kjo që po ndodh po me Berishën, është përsëritja e së njëjtës histori. Por këtë herë si farsë

Top Channel