Palestinezët kërkojnë bisedimet me Izraelin

26/04/2014 00:00

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas këmbëngul në vazhdimin e bisedimeve të paqes me Izraelin, por me dy kushte thelbësore.

Kushti i parë është që Izraeli duhet të lirojë 30 palestinezët e burgosur që prej muajit mars dhe kushti i dytë ndalimi i të gjitha ndërtimeve kolone në tokat palestineze.

Këtë javë Izraeli njoftoi pezullimin e bisedimeve me Autoritetin Palestinez pas marrëveshjes së arritur mes Fatah të udhëhequr nga Mahmoud Abbas dhe Hamas që drejton Rripin e Gazas. Brenda një jave, dy fraksionet e palestinezëve pritet të ngrenë një qeveri të unitetit kombëtar.

Kjo marrëveshje kundërshtohet nga Tel Avivi që i bëri thirrje Abbas që të distancohet nga Hamas, që e cilëson një organizatë terroriste së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian.

Gjatë një takimi në Bregun Perëndimor Abbas deklaroi se Izraeli dhe palestinezët duhet të gjejnë një zgjidhje për kufijtë e dy shteteve.

“Si mund të rinisim bisedimet? Nuk ka asnjë pengesë nga ana jonë, por 30 të burgosurit duhet të lirohen. Në tryezë ne do të paraqesim propozimin tonë për kufijtë dhe sapo të mbërrihet në një marrëveshje i gjithë procesi i ndërtimeve kolone duhet të ndalojë njëherë e mirë”, tha Abbas.

Megjithatë veshtirë se Izraeli t’u rikthehet bisedimeve. Një ditë më parë kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi se “Mahmoud Abbas duhet të zgjedhë mes paqes me Izraelin ose paktit me Hamas-in, të dyja nuk mund t’i ketë”.

Hamas nuk njeh të drejtën e Izraelit për të ekzistuar si shtet, ndërsa Fatah është linja e moderuar që kërkon zgjidhjen e konfliktit nëpërmjet bisedimeve. Dy linjat kanë përcarë palestinezët dhe që nga vizit 2006 përplasjet mes dy fraksioneve nuk kanë munguar.

Nga Azia ku ndodhet për turin disa-ditor të vizitave zyrtare, Presidenti amerikan Barack Obama u kërkoi të dyja palëve që të mos tërhiqen nga tryeza e bisedimeve dhe të vazhdojnë procesin e paqes. Për Uashingtonin zgjidhja më e mirë është ekzistanca e dy shteteve fqinje, Izraelit dhe Palestinës.

Top Channel