Afganët presin rezultatet e zgjedhjeve

26/04/2014 00:00

Në Afganistan pritet të shpallen më vonë gjatë ditës rezultatet paraprake të zgjedhjeve presidenciale, tre javë pas mbajtjes së procesit elektoral.

Rezultatet e pjesshme të publikuara më herët nxirrnin ish-ministrin e Jashtëm, Abdullah Abdullah përpara me 43.8 për qind të votave, më pak se kuota prej 50 për qind që duhet për të shmangur balotazhin.

Korrespondenti i BBC në Kabul deklaron se në radhët e klasës politike janë shtuar zërat për shkelje dhe manipulime gjatë procesit.

Ndërkohë, rezultatet përfundimtare do të publikohen më 14 maj, pas periudhës së shqyrtimit të ankesave. Presidentit në ikje Hamid Karzai i ndalohet kandidimi për një mandat të tretë. Gjithësej janë 8 pretendentë për ta pasuar atë.

Nëse askush nuk siguron mbi 50 për qind të votave, atëherë më 28 maj do të mbahet raundi i dytë mes dy kandidatëve më të votuar. Njoftimi i së shtunës vjen dy ditë pasi rezultatet e plota paraprake duhet të ishin deklaruar.

I dërguari i BBC thotë se vonesat po rrisin dyshimet se rezultati po manipulohet. Aktualisht qarkullojnë zëra se kutitë e votimeve ishin mbushur dhe se numrimi i votave është devijuar.

Kur ishin numëruar 80 për qind e votave, rivali i zotit Abdullah, Ashraf Ghani, një ish-ekonomist i Bankës Botërore, renditej i dyti me 32.9 për qind të votave.

Top Channel