Rio, sërish përleshje polici-banorë

25/04/2014 00:00

Policia braziliane është përleshur sërish me banorët e Rio de Zhaneiros në lagjet e varfëra të qytetit. Policia përdori gaz lotësjellës dhe plumba gome për të shpërndarë turma të irrituara protestuesish nga lagjia Pavao-Pavaozinjo.

Këtë herë banorët po ktheheshin nga varrimi i një personi, që dyshohet të ketë vdekur nga dhuna e policisë më herët gjatë javës.

Ditën e enjte, shumë makinave iu vu flaka dhe qindra banorë e patën të pamundur të ktheheshin në shtëpitë e tyre pasi protestuesit kishin bllokuar rrugët me barrikada, të cilave u kishin vënë flakën.

Policia përdori spraj me piper dhe gaz lotësjellës për të shpërndarë turmën që gjuante me gurë ndaj saj. Sipas mediave braziliane online, një person u ndalua nga forcat e rendit.
Në të njëjtën kohë autoritetet mbyllën përkohësisht shëtitoren në lagjen Kopakabana, e famshme për plazhin e saj me rërë.

Autoritetet deklarojnë se do të hetojnë vdekjen e balerinit Douglas Pereira. Zyrtari përgjegjës për sigurinë publike në Rio, Jose Maria Beltrame tha se hetimi do të kryhet me seriozitet dhe transparencë.

Ndërsa nëna e viktimës tha për BBC se do të kërkojë ndihmë nga grupi për të drejtat e njeriut, Amnesty International. “Vdekja e tim biri nuk mund të kalojë pa u ndëshkuar. Ajo nuk mund të shërbejë vetëm si statistikë”, tha ajo.

Maria de Fatima Silva tha gjithashtu se, historia që e nxirrte djalin e saj si kriminel nuk është e vërtetë, pasi ai nuk ishte një keqbërës. Përleshjet e fundit në Brazil vijnë disa javë para se vendi të mirëpresë Kampionatin Botëror në futboll.

Top Channel