Me një avion “charter”, 35 shtetas shqiptarë u kthyen në Shqipëri si të
riatdhësuar nga autoritetet franceze dhe britanike, sërish për shkelje
të rregullave për lëvizjen e lirë në vendet e zonës “Schengen”.

Siç ka ndodhur edhe me shtetas të tjerë, të riatdhesuar së fundmi nga vendet e BE, atyre u ndalohet që të lëvizin për 5 vitet e ardhshme në zonën “Schengen”. Ndërkohë, ata do t’i nënshtrohen edhe verifkimeve, sikurse u shpreh shefi i Komisariatit të Rinasit, Ermal Milori.

“Ndër ta, ka persona që kanë vajtur në emigracion me dokumentacion jo të rregullt, duke përfituar kalimin e paligjshëm nga kufiri midis Francës dhe Anglisë dhe për këtë qëllim kthehen sot në Shqipëri, si persona të deportuar. Përsonat e kthyer sot do t’u nënshtrohen verifikimeve të nevojshme, për të parë se si kanë dalë ata nga territori shqiptar. Nëse ndër ta, ndonjëri vërtetohet se ka shkelur ligjin e kufirit për lëvizjen, pra për daljen nga kufiri i territorit shqiptar, atëherë do t’i nënshtrohet hetimit për kalim të paligjshëm të kufirit”, tha Ermal Milori, shef i Policisë Rinas.

Kryepolici i Rinasit nuk harroi madje të bënte edhe një apel, sikurse edhe krerë të tjerë të Policisë apo Ministrisë, sa herë ka pasur riatdhesime.

“Gjej rastin t’u bëj thirrje të gjithë shtetasve shqiptarë, të cilët lëvizin në vendet e Schengen-it, të respektojnë rregullat dhe dokumentacionin e kërkuar për këtë lëvizje të lirë në këto vende, pasi mosrespektimi dhe mosplotësimi i tyre do të sjellë një penalizim të lëvizjes për këta shtetas me afate kohore të përcaktuara, por gjithashtu do të sjellë edhe penalizimin e të gjithë shtetasve shqiptarë për të lëvizur lirshëm në vendet e Schengen-it”, paralajmëroi Ermal Milori.

Top Channel