Kryeministri australian shkel protokollin, i hedh dorën Princit

25/04/2014 00:00

Duka dhe Dukesha e Kembrixhit mbyllën turin e vizitave në Zelandën e Re dhe Australi, ku qendrën e vëmendjes ua vodhi princi George.

Vizita u cilësua nga mediat australiane, neozelandeze dhe ato britanike si e suksesshme, por jo pa incidente. Në njërin prej tyre protagonist u bë kryeministrin australian Tony Abbot, që akuzohet për shkeljen e pikës së protokollit që përcakton se asnjëherë nuk mund t’i hidhet dora pas krahëve një pjesëtari të familjes mbretërore.

Ndoshta nga padija, ndoshta një veprim i nxituar i momentit, por Abbot ‘gaboi’ kur i vendosi njërën dorë miqësisht në shpinë princit William gjatë një takimi në korridoret e parlamentit australian.

Fotoja u publikua fillimisht nga mediat australiane, që e cilësojnë këtë gjest një turp. Por Abbot nuk është rasti i parë i shkeljes së këtij rregulli të trashëguar që nga Mesjeta. Në vitin 1992, kryeministri i australian i asaj kohe, Paul Keating bëri të njëjtin veprim, por këtë herë ndaj mbretëreshës Elisabet.

‘Incidenti’ shkaktoi një vorbull diplomatike dhe u diskutua për muaj me radhë ‘si i turpshëm’. Mbretëresha u gjend në të njëjtën situatë në tetor të vitit të kaluar, por këtë herë ishte pronarja e një biznesi peshkimi ‘që gaboi’.

Në 2009-n të njëjtën ‘gafë’ e bëri edhe Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Michelle Obama e cila përfshiu ngrohtësisht prej supesh mbretëreshën Elisabet gjatë vizitës në Pallatin Mbretëror në Londër.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel