Pasuritë nën hetim/ Prokuroria e Sarandës sekuestron hotelin luksoz në pronësi të Alqi Papës Një sërë sëmundjesh që kalojnë nga kafshët tek njeriu mund të jenë të rrezikshme nëse mishi që konsumojmë është i pakontrolluar.
Specialistja e shëndetit publik, Luljeta Alla thotë se antraksi, bruceloza, salmonelozat janë vetëm disa nga sëmundjet që merren nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët, por dhe nëpërmjet konsumimit të produkteve blegtorale të papërpunuara.
“Lidhur me këtë grup sëmundjesh e rëndësishme është parandalimi i këtyre sëmundjeve tek kafshët. Parandalimi parësor nëpërmjet vaksinimit si dhe kontrolli i produkteve blegtorale”, thotë specialistja e Shëndetit Publik, Luljeta Alla.
Njerëzit më të rrezikuar janë blegtorët, veterinerët dhe kasapët.
“Njerëzit mund të infektohen nga përdorimi i papërpunuar i produkteve, sic janë qumështi dhe nënproduktet e tij, ku nënkuptojmë, djathra të pastazhonuar me kriposje, ku rekomandohet të paktën 3 muaj para se të dalin për konsum, gjithashtu konsumimi i mishit i përpunuar termikisht. Këtu bëhet fjalë edhe për sëmundje që kanë një impakt dhe janë tepër të rrezikshme”, shton specialistja e Shëndetit Publik.
Një këshillë mjaft e rëndësishme mund të gjejë vend në kuzhinën e secilit prej nesh.
“Tani po vjen sezoni i verës dhe duhet të kemi kujdes me higjienën dhe gatimin në temperatura të larta. Salmoneloza kërcënon më shumë në këtë periudhë”, thotë ajo.
Nuk ka vend për të na zënë paniku. Mjafton të konsumojmë produkte të kontrolluara dhe të tregojmë kujdes gjatë gatimit.
AKU: Ja puna që po bëjmë
Rasti fundit i diagnostikimit të pesë personave në rrethin e Tepelenës me antraks, apo sic njihet në gjuhën popullore plasja, ka rritur shqetësimin për sigurinë tonë ushqimore.
Antraksi transmetohet kryesisht nëpërmjet konsumimit të mishit të kafshëve që e bartin këtë sëmundje. Por cila është siguria në thertoret tonë dhe ku qëndron veprimtaria e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit?
Për të folur për këtë, në emisionin e Pasdites ishte e ftuar Edlira Dibra nga Autoriteti Kombwtar i Ushqimit. Ajo tha se AKU ushtron inspektime të vazhdueshme në thertoret për të garantuar kushtet higjenike dhe teknikën standarde të përdorur në therjen e bagëtive.
Lidhur me sigurinë dhe cilësinë e mishit, zonja Dibra tha se kjo është në përgjegjësi e veterinerëve të pushtetit vendor, të cilët kontrollojnë dhe më pas lëshojnë një certifikatë mbi sigurinë dhe pastërtinë e mishit. Më pas është detyra e AKU-t që qëndron në kontrollin nëse me këto certifikata është abuzuar apo jo.
“Autoriteti kontrollon kushtet tekniko-teknologjike dhe higjeno-sanitaër që duhet të kenë thertoret, por edhe certifikatën e dhënë nga veterineri i pushtetit vendor. Procesi i therjes kontrollohet edhe nga veterineri. Nëse ka abuzime me certifikatat përgjegjësia bie mbi veterinerin”, tha ajo.
“Në nëntor të 2013 u ringrit task forca për disiplinimin e procesit të therjes. Ne jemi dëshmitarë që kafshë janë therur në rrugë nacionale, jashtë cdo kushti higjeno-sanitar. Inspektimet e AKU kanë qenë të vazhdueshme duke garantuar disiplinimin e procesit të therjes. Kemi bërë goxha punë dhe do vazhdojmë ta bëjmë atë. cdo ditë kryhen inspektime që nga 12 nëntori i 2013. Nëse një thertore nuk plotëson asnjë kusht, apo kur gjehen mangësi, kemi bërë bllokime të këtyre saj”, shton Dibra.
Për të mësuar më shumë rreth procesit të therjes së bagëtive dhe kushteve të ruajtjes së mishit, Pasdite u zhvendos në thertoren e Dritan Roshit në Tiranë. Ai tha se në mënyrë që mishi të ruajë freskinë dhe vlerat ushqimore të tij, duhet që të ruhet në temperatura nga 3 deri në 7 gradë celcius në të gjitha hallkat e procesit, që nga therja e deri tek shitja tek konsumatori.
“Ne e marrim gjedhin nga malësia e Shën Gjergjit në Tiranë dhe me certifikatën e sigurisë së lëshuar nga veterinerët përkatës”, tha ai.
Top Channel