Gjirokastër, vidhet Muzeu i ri i Armëve

20/04/2014 00:00

Trashëgimia kulturore shqiptare është në rrezik të vazhdueshëm jo vetëm nga indiferenca shtetërore, por edhe nga grabitjet.

Një rast i tillë i rëndë që përsëritet për të disatën herë në këto dy dekadat e fundit ka ndodhur në Muzeun e Armëve në Gjirokastër. Grabitësit nuk i ka penguar fakti se muzeu ndodhet brenda Kalasë së Gjirokastrës dhe as se ai ruhet nga një polici private.

Ende të paidentifikuar, grabitësit kanë hyrë gjatë natës në muze dhe kanë vjedhur 11 armë të periudhës së Mesjetës: 4 pushkë, 4 pistoleta dhe 3 shpata. 

Policia lokale ka nisur hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje që prek një nga zonat më tërheqëse të Gjirokastrës, qyteti që është shpallur nga UNESCO pjesë e trashëgimisë botërore.

Muzeu  i Armëve në Kalanë e Gjirokastrës konsiderohet nga ekspertët si një nga atraksionet kulturore dhe turistike që luan një rol të rëndësishëm për të rritur profilin historik të qytetit të Gjirokastrës.

Top Channel