Një “Pasdite” me Marjana Lekën

18/04/2014 00:00

Marjana Leka, sopranoja e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, tregoi në studion e “Pasdite në Top Channel” se si nisi karriera e saj muzikore dhe përse zgjodhi të qëndronte në Shqipëri duke hedhur poshtë disa mundësi për një karrierë jashtë shtetit.

Talenti – Kam qenë 13 vjeç kur dikush më tha që këndoja shumë bukur. Babai im nuk donte t’i futesha muzikës dhe unë fillimisht nuk këmbëngula. Më vonë, në konvikt filloi të më pëlqente kënga. Gjatë një aktiviteti në shkollë këndova për herë të parë dhe kuptova se kisha zërin e operas. Vetëm një herë kisha shkuar në opera dhe daja im që punonte në Teatrin e Operas dhe Baletit më mori atje për një provë edhe pse unë nuk dija asnjë notë. Ma pëlqyen shumë zërin dhe aty nisi karriera ime operistike.

Emocionet në skenë – Kur dal në skenë mendoj vetëm që të jap më të mirën time para spektatorit. Unë mundohem të jem e qetë dhe të komunikoj me publikun. Cdo dalje në skenë ka emocionet e veta. Nëse lejon emocionet të të mbysin, nuk arrin atë që duhet.

Refuzimi i ofertave për një karrierë jashtë shtetit – Kam pasur mundësi të iki jashtë, por ka qenë një zgjedhja ime të qëndroja në Shqipëri për të pasur një ekuilibër mes familjes dhe karrierës. Këtu kam gjithçka, respekt dhe vlerësim.

Menaxhere e vetes – Unë jetoj në Shqipëri dhe këtu tek ne nuk ke nevojë për menaxherë. Është vetëm një teatër, artistët janë të emëruar fiks në teatër dhe ne i përgjigjemi axhendës së tij.

Madama Butterfly – Është shumë e vështirë për intensitetin emocional të rolit, për teknikën vokale dhe ndryshimet që kërkon nga njëri akt në tjetrin.

Incidenti – Më është prishur një herë zinxhiri i fustanit në momentin kur duhej të dilja në skenë. Muzika kishte nisur dhe unë dola pasi nuk kisha çfarë të bëja, por nuk i ktheva kurrizin për asnjë moment publikut.

Saimir Pirgu – Vlerësoj Saimir Pirgun. Është një artist i kompletuar me një karrierë brilante.

Top Channel