“Ekonomia informale, strategjia dhe lufta kundër saj” ishte tema që bashkoi pjesëtarë të shoqërisë civile, përfaqësues biznesesh dhe drejtues institucionesh në një tryezë diskutimi.

Ministri kosovar i Financave, Besim Beqaj, tha se megjithë reformat institucionale, ekonomia informale vazhdon të jetë e pranishme në shkallë të madhe. Ai shtoi se ekonomia joformale dëmton buxhetin e shtetit, qytetarët, bizneset dhe konkurrencën e lirë.

“Nga këndvështrimi buxhetor dihet që ne kemi mundësi që me mekanizmat institucionalë të marrim hapa, por nuk është kjo rruga e vetme, vetëm duke marrë masa administrative, por edhe masa e edukimit. Strategjia ka një nga objektivat e saj rritjen e besueshmërisë, respektivisht vetëdijësimin e qytetarëve dhe bashkëpunimin në këtë drejtim”, tha ai.

Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, i cili ishte organizator i këtij takimi, kërkoi nga gjykatat që të jenë më efikase në trajtimin e çështjeve që ndërlidhen me ekonominë informale. Sipas tij, statistikat tregojnë që një numër i vogël i lëndëve janë trajtuar dhe sipas tij krimi dhe informaliteti nuk po e marrin dënimin e merituar.

Autoritetet shtetërore thonë se nuk kanë të dhëna të sakta për shkallën e ekonomisë informale, por studimet e shoqërisë civile tregojnë se norma e informalitetit në Kosovë është 34.4%, çka do të thotë se kjo sasi e shitjeve nuk raportohet për arsye tatimore.

Top Channel