“Washington Post”, “Guardian” marrin “Pulitzer”

14/04/2014 00:00

Cmimi “Pulitzer” u nda mes dy gazetave; prestigjiozes amerikane “Washington Post” dhe asaj britanike “The Guardian” për shkrimet mbi përgjimet e NSA-së, mbështetur në dokumentet e siguruara nga ish-nëpunësi i Cia-s Edward Snowden. Çmimi “Pulitzer”  jepet nga Fakulteti i Gazetarisë i Universitetit të Columbias.

Komiteti “Pulitzer” argumentoi se “The Guardian” ndihmoi përmes raportimit agresiv të nxiste debatin për marrëdhëniet mes qeverise dhe publikut, për çështjet e sigurisë dhe privatësisë”. Ndërsa për “Washington Post” –nënvizoi –  “shkrimet që mbanin vulën autoritare dhe depërtuese ndihmuan publikun të kuptojë se si zbulimi përshtatet në kornizën e madhe të sigurisë kombëtare”.

Mes fituesve të çmimit më të madh në gazetarinë amerikane ishte “Boston Globe”, në kategorine“breaking news”,  për sulmet me bomba në maratonën e Bostonit dhe gjurmimin e të dyshuarve.

Për raportimin ndërkombëtar u vlerësuan dy gazetarë të agjencisë së lajmeve “Reuters”; Jason Szep dhe Andrew R.C. Marshall për “raportimin kurajoz për persekutimin e dhunshëm të Rohingias, pakicës myslimane në Mianmar, që në përpjekje për t’u larguar nga vendi, bie viktimë e rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore”. Ndërsa Taylor Hicks i “New York Times” fitoi foto-lajmin e fundit për sulmin terrorist në qendrën tregtare Westgate në Kenia.

Top Channel